Ndërsa koronavirusi vazhdon të përhapet, disa qeveri kanë kufizuar udhëtimin ndërsa në vende të tjera udhëtarët kanë marrë masat paraprake individuale.
BBC ka marrë pyetje nëse është e sigurt për të fluturuar, për të shkuar në një lundrim apo për të marrë transportin publik.
Deri në këto momente, është ende e paqartë mënyra si përhapet koronavirusi, por viruse të ngjashme transmetohen përmes piklave të kollës dhe tështimës nga një person i infektuar, ose nga prekja e sipërfaqeve ku personi i infektuar ka tështirë ose është kollitur.
Nëse po udhëtoni me autobus/tren dhe është relativisht i zbrazët, mundësitë për t’u infektuar janë më të pakta. Sigurisht që ndikon edhe fakti se sa mirë janë ajrosur automjetet dhe sa mirë janë dezinfektuar. Pra, rreziku varet nga sa njerëz ndodhen të pranishëm më tepër sesa nga prekja e dorezave apo shufrave në autobus.
Instituti i Shëndetit Publik në Angli thekson se konsiderohet gati e pamundur që të infektohesh nëse prek shufrat apo dorezat mbajtëse të autobusit. Mirëpo gjithsesi këshillohet dezinfektimi dhe larja e duarve kur prekni objekte ku sipërfaqet janë potencialisht të ndotura.
Ndër të tjera këshillohet edhe mosudhëtimi gjatë orareve të pikut si edhe ecja në këmbë për rrugë të shkurtra. Mënyra më e mirë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit është qëndrimi në shtëpi dhe shmangia e qëndrimit nëpër vende të populluara me njerëz.
Nëse udhëtoni me avion
Në fakt, ajri në avion mund të jetë me cilësi më të mirë sesa në zyrën dhe sigurisht më i mirë se në tren ose një autobus.
Profesori Quingyan Chen në Universitetin Purdue, i cili studion cilësinë e ajrit në automjete të ndryshme të pasagjerëve, tregon se ajri në avion zëvendësohet plotësisht çdo 2-3 minuta, krahasuar me çdo 10-12 minuta në një ndërtesë me ajër të kondicionuar.
Kjo sepse gjatë kohës që jeni në aeroplan, ajri që thithni pastrohet nga diçka që quhet filtër ajri me efikasitet të lartë (Hepa). Ky sistem mund të kapë grimca më të vogla sesa sistemet e zakonshme të kondicionimit, përfshirë viruset./abcnews.al