A ka nisur komunikimi mes PD-së dhe PS-së?

schedule19:44 - 30 Maj, 2019

schedule 19:44 - 30 Maj, 2019

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se nuk ka asnjë komunikim mes selisë blu dhe Partisë Socialiste. Gjatë rubrikës “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori, Bardhi u shpreh se PD nuk ka vullnet dhe dëshirë për të folur me përgjegjësit e situatës.

“Ka zero komunikim me çdo eksponent të qeverisë përfshirë njeriun përgjegjës të situatës që është Edi Rama. Ne nuk po kërkojmë pazar me Ramën, nuk kërkojmë marrëveshje me Ramën. Ne kemi konstatuar fakte të rënda në të cilat ndodhet sot vendi ynë dhe kemi ofruar zgjidhjen politike. Nuk kemi asnjë çështje për të diskutuar. Zero komunikim nga ana e PD-së. Sa kohë ne nuk kemi vullnet dhe dëshirë për të komunikuar me këdo që është përgjegjës për situatën nuk kam nga ta di nëse kanë apo jo ata tentativa për të hyrë në komunikim me përfsaqëuse të PD-së.  Sa kohë Rama është kryeministër nuk mund të negociojmë me përfaqësuesin e Niçes dhe bandave kriminale që i thotë vetes kryeministër. Ky është portreti të cilin ne e shikojmë Ramën”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Për sa i përket protestës së 2 Qershorit, Bardhi tha se ajo është vijim i aksionit politik të PD-së dhe do të jetë një protestë qytetare.

“Është vijim i aksionit tonë politik të ndërhurur me vendime të rëndësishme politike dhe aksion qytetar. Do të jetë një protestë qytetare. Të dhënat tona flasin për një pjesëmarrje masive, siç keni parë në protestat e tjera kombëtare. Është shumë herë për të folur për detajet dhe mënyrën si do organizohet protesta”, tha Bardhi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!