Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka folur në lidhje me paralajmërimet e administratës Biden për shpalljen non grata të politikanëve të korruptuar. Pyetur nga gazetarët nëse PS u trembet këtyre sanksioneve, Balla u shpreh se PS jo vetëm e përshëndet këtë nismë por sipas tij ka vendosur një standard të pamohueshëm në politikë.
“Unë e kam përshëndetur sot në Kuvendin e Shqipërisë vendimet e thesarit të SHBA për të vendosur sanksione financiare ndaj elementëve që destabilizojnë paqen në Ballkan. Ajo e djeshmja lidhet edhe me financime të partive të ndryshme politike në fushata elektorale dhe trafiqe. Në këtë këndvështrim mendoj se ajo që buron nga strategjia kundër korrupsionit është vijimi i administratës së mëparshme. Partia Socialiste jo vetëm e përshëndet. PS ka vendosur një standard të pamohueshëm në politikë. PS ka hequr mbështetjen dhe do vazhdojë të heqë mbështetjen kudo”, tha Balla.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan Gabriel Escobar përkon dy ditë para zhvillimit të Kuvendit Kombëtar të Berishës. Balla tha se kjo është një vizitë e planifikuar që duhet parë në shumë kontekste. Sipas tij e rëndësishme është se Shqipëria dhe SHBA kanë arritur të ngrenë marrëdhëniet e tyre në nivelin më të mirë. Ai nuk pranoi të komentojë situatën e brendshme në Partinë Demokratike e ndarë tashmë në dy kampe.
“Unë mendoj që vizita e Escobar ka shumë kontekste. Është një vizitë edhe e planifikuar. Ajo që ka rëndësi është që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA sot janë në nivelin më të mirë me një shkëmbim vizitash. Ne kemi propozuar gjatë vizitës në Uashington përfshirjen e Shqipërisë në dhomën e tregtisë në kuadër të biznesit amerikan. PD ka pasur propozimet e veta për një sërë çështjesh. Ky sesion ka qenë për ratifikim marrëveshjesh.
Nuk dua të komentoj aspak. Jam i parimit që çështjet e një partie janë të asaj partie. Puna në Kuvendin e Shqipërisë është mes shumicës dhe pakicës për çështje të rëndësishme. Ka çështje ku jemi dakord”, tha ai.
Në lidhje me ngritjen e komisionit për çështjet zgjedhore, Balla deklaroi se është mbyllur pothuajse 95% e punës për përcaktimin e punës së komisionit.
“S’ka të bëjë me çështjet e brendshme të PD sepse ajo e ka grupin e saj parlamentar që funksionon në mënyrë shumë institucionale. PD ka një agjendë të cilën e ndjek në aspektin e punës së saj. Një çështje që ka të bëjë me objektin e komisionit të reformës zgjedhore kërkon një punë sqimëtare nga ana e atyre që janë ngarkuar për ta bërë këtë punë. Në këtë këndvështrim mendoj se e kemi mbyllur 90-95% për përcaktimin e punës së komisionit. Është çështje që kërkon më shumë kohë për t’u konsultuar mes palëve”, u shpreh Balla. m.v/Abcnews.al