“A është Turqia një alternativë për Shqipërinë veç BE-së? Flet Rama

schedule11:01 - 25 Shtator, 2021

schedule 11:01 - 25 Shtator, 2021

Shqipëria prej vitesh pret një dritë jeshile në rrugën drejt anëtarësimit Evropian, por vonesat vijnë edhe si pasojë e vetë problemeve të brendshme që ka Evropa. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në një intervistë për TV5Monde pasditen e së premtes përpara se të mbante fjalimin në asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Por kur u pyet nga gazetarja franceze nëse Shqipëria ka alternativa të tjera, si përshembull Turqia, kreu i qeverisë dha një përgjigje negative. Sipas tij, Turqia është mik i mirë i Shqipërisë prej vitesh tashmë, dhe bashkë me shtete si Greqia dhe Italia, vendi ka partneritet strategjik.

Pjesë nga intervista:

-U bënë vite që prisni? A është frustruese? Në ç’pikë janë negociatat me Brukselin?

“Të themi të vërtetën, nuk është frustruese, sepse e kuptojmë që vetë Evropa është e frustruar nga problemet e saj të brendshme. Prej krizës së refugjatëve të 2015, po ndodhin shumë gjëra në nivelin evropian, të cilat bëjnë që Bashkimi Evropian të mos arrijë të funksionojë në të gjitha frontet dhe as të menaxhojë nacionalizmat që po lulëzojnë në shumë vende. Edhe pse ekstremi i djathtë për fat të mirë nuk është në pushtet në asnjë vend evropian, qasjet e ekstremit të djathtë ndikojnë sidoqoftë mbi qëndrimet e qeverive të moderuara, e të vetë Bashkimit Evropian. Në këtë pikë, jemi të qartë, ne duhet të bëjmë gjithçka duhet për t’u bërë një vend evropian, për t’u bërë një vend i BE, për t’u bërë një vend i shtetit të së drejtës, sepse e bëjmë këtë për fëmijët tanë. Nuk e bëjmë sepse është dikush në Bruksel, në Paris, apo në Berlin që na e kërkon dhe kjo është rruga e vetme, nuk ka alternativë tjetër. Ne jemi vërtet  krenarë që të vazhdojmë në këtë udhë, ka pengesa por s’ke ç’i bën, ne vazhdojmë.”

Ndoshta ka alternativa të tjera? Ju keni takuar këtë javë presidentin turk Rexhep Tahip Erdogan në Nju Jork. A po forcohet interesi për Turqinë, në dëm të Bashkimit Evropian?

“Jo. Kjo është bla-bla-bla, në përgjithësi, sepse Turqia është një vend mik i Shqipërisë prej një kohe shumë të gjatë. Me Turqinë, Greqinë dhe Italinë ne kemi një partneritet strategjik dhe miqësia me Turqinë dhe marrëdhëniet me Turqinë nuk janë një alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Aspak.” /abcnews.al/