“A e kuptoni kush jemi?” Shehi: Seferi më i miri sot, fituam për veten tonë

schedule15:23 - 27 Shkurt, 2021

schedule 15:23 - 27 Shkurt, 2021

Orges Shehi ka marrë fitoren e tretë në krye të Tiranës. Kampionët në fuqi thyen Vllazninë kryesuese dhe shpresojnë që deri në fund të mund të sigurojnë pjesëmarrjen në kupat e Europës. Tekniku durrsak analizoi gjithçka ndodhi në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

“Pas ndeshjes i thashë skuadrës: ‘A e kuptoni se kush jemi’. E kemi interpretuar mirë dhe e merituam fitoren. Kemi pasur javë shumë të vështirë për shkak të mungesave, Torassa e Cale nuk janë në maksimum. Muçi u largua në fund dhe vuajtëm këto mungesa, por kjo ndeshje mund të jetë një pikënisje për të fituar radhazi.

Edhe me Kukësin kemi luajtur mirë, për shkak të terrenit nuk ishim në maksimum. Vinim pas një ndeshje me Teutën, kur nuk ishim vetvetja. Sot ishim vendosur ndryshe prej mungesave, falënderoj Kristin që erdhi edhe pse ka kaluar vështirësi. Ky modul shkoi mirë dhe mund të jetë edhe në vazhdim, në varësi edhe të kundërshtarëve.

Seferi ishte shumë mirë sot, pavarësisht rasteve të humbura mendoj se ishte më i miri i ndeshjes. Gara është shumë e fortë sepse kundërshtarët janë solide dhe kanë pikë më shumë. Ne do bëjmë maksimumin dhe do dalim nga gara me mendimin se dhamë gjithçka. Pamë dje Teutën me Kukësin, është garë shumë e fortë. Telefonin nuk e kam parë.

Kur fiton vijnë shumë mesazhe, kur ndodh e kundërta nuk kujtohet njeri, ose ofendojnë. Ne sot bëmë detyrën tonë. Kisha ndryshuar disa module deri tani. Duhet të ketë pak më shumë gjendje fizike dhe lojtarë si ai vuajnë nëse nuk janë mirë fizikisht. Është shumë afër dhe ndeshjen tjetër mund ta nisim me të nga minuta e parë”, u shpreh Shehi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!