A duhet rikthyer shërbimi ushtarak? Softa: Po e bëjnë shumë vende të BE. Meçollari kundër: FA i plotësojnë nevojat minimale

schedule22:25 - 6 Mars, 2024

schedule 22:25 - 6 Mars, 2024

A duhet të rikthehet shërbimi ushtarak? Për këtë temë u diskutua mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Bardh a Zi” në ABC News. Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa thotë se shërbimi ushtarak i detyrueshëm duhet të rikthehet në vend por kapiteni Artur Meçollari u shpreh kundër kësaj ideje.

“Që të kthejmë ushtri të detyrueshme duhet të kemi numrat dhe elementët sesa ushtarë i duhen Shqipërisë çdo vit. Ushtria ishte 35 mijë dhe pjesa më e madhe ishte ushtarë, jo oficerë dhe nënoficerë. Kurse në strukturën që kemi aktualisht, sot Shqipërisë i duhen çdo vit të rekrutojë jo më shumë se 500 ushtarë. Në vitin 2019, ka qenë 70 përqind, 2020 50 përqind dhe në 2023 ka qenë 25-17 përqind. Pse? Sepse ka një lidhje dhe korrelacion midis korrupsionit dhe rekrutimit.

Korrupsioni ka çuar në rritjen e numrit të kërkesave që kanë kërkuar të largohen nga Forcat e Armatosura dhe kjo krijon vende vakante.  Kjo do të thotë se duhet të rritet numri i rekrutimeve. Ti e rrit numrin e rekrutimeve, por në të njëjtën kohë të bie përqindja e rekrutimeve.  Kontigjenti që mund të angazhohet në shërbimin e detyrueshëm, që është në Shqipëri, është rreth 8500. Nga këta, ushtrisë sot i duhen vetëm 500, 6 përqind. Thelbi është që nëse do të fusim shërbimin e detyrueshëm. Forcave të Armatosura nuk i krijon ndonjë efekt pozitiv, i krijon mbingarkesë që të marrë 8600 apo 10 mijë veta çdo vit. Dhe bie profesionalizmi.”, tha Meçollari.

Softa shtoi se edhe vendet e BE-së kanë filluar që ta rikthejnë shërbimin e detyrueshëm.

“E para duhet të mos mohojmë progresin e ushtrisë shqiptare sepse në misionet paqeruajtëse apo në sërtvitjet e përbashkëta me SHBA, ka treguar një nivel dhe përgatitje profesionale. Kjo nuk mjafton sepse sot bota ka filluar ta kthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Jam për po sepse nuk është sistemi i të kaluarës që na tremb por është një formë që shumë vende të BE-së, Franca e ka pezulluar në 2018 dhe e bën aktive në 2024. Një pjesë e shërbimit të detyrueshëm duhet të shikohet për t’u kthyer.“, theksoi Softa.

Ai më tej tha se duhet të rritet edhe bashkëpunimi me struktura të tjera të NATO-s.

“Të forcohet kapaciteti i ushtrisë. Të rritet bashkëpunimi me strukturat e tjera të NATO-s të investimeve të bëra nder vite nga breza të tjerë në lidhje me strehimin e popullsisë për raste e një situate të mundshme konflikti. Të shihet mundësia për mundësinë e vendosjes së  shërbimit të detyrueshëm por i moderuar jo me dy vite ushtar dhe me një vit por të jetë mundësia për t’i përgatitur.”, shtoi Softa.

Meçollari thotë se nevojat minimale të Forcave të Armatosura plotëson edhe pa shërbimin e detyrueshëm.

“Forcat e Armatosura me numrin organik që ka nuk ka nevojë për shërbim të detyrueshëm pasi i plotëson nevojat minimale dhe humbet profesionalizmin. Por thelbi qëndron nëse duhet të ndryashojë mentaliteti i shoqërisë. Ka nevojë dhe për një përgatitje jo ushtarake por politiko ushtarake në kuptimin kombëtar.”, u shpreh Meçollari./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!