SHQIPËRI- Të premten do të mblidhet Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore, ndërsa palët duket se janë gati për të nisur nga puna dhe për këtë kanë kërkuar ndihmë konkrete nga OSBE/ODIHR.
Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri, u shpreh se objekt i punës së komisionit pritet të jenë adresimet e OSBE-ODIHR si dhe hapja e listave.
“Kërkesat e OSBE-ODIHR, ku janë reflektuar ankesat e partive opozitare dhe së dyti çështja e listave të hapura, dhe e kam bindje se do jetë objekt i diskutimeve. Edhe vota e emigrantëve, që është një e drejtë e tyre dhe për këtë arsye e drejta e tyre është që të votojnë, pastaj formulat janë diskutime që do hidhen në tryezën e diskutimeve”, tha ai.
Lulzim Basha një ditë më parë, pas përfundimet të seancës plenare tha para mediave se kishte zhvilluar negociata me ndërkombëtarët me qëllim uljen e palëve në tryezë për reformën zgjedhore. Por, pa kaluar ende 24 orë nga një deklaratë e tillë, ndërkombëtarët, përfshirë SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar e mohuan një gjë të tillë.
Po ashtu edhe Kulluri shtoi në “Ora e Fundit” se as ai nuk posedon një informacion se Basha ka patur një takim të tillë. Sipas tij, kjo është kompetencë e kryetarit dhe për këtë duhet të pyetet vetë Basha.
“Puna e Komisionit fillon të premten. Fakti që OSBE është e përfshirë në proces, tregon se faktori ndërkombëtar është përherë i përfshirë. Faktori ndërkombëtar ka qenë i interesuar për një proces të drejtë dhe të interesuar për barazinë para ligjit. Nëse ka pasur kontakte apo jo, këtë nuk di ta them, këtë e di kryetari. Unë nuk di asnjë rast, që ndërkombëtarët, që kur ka pasur mosmarrëveshje mes palëve të mos kenë ndërhyrë. Nuk kam inflamacion për biseda që janë bërë, por kryetari është sigurisht në kontakt të vazhdueshëm. Në thelb, nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet faktori ndërkombëtar do të ushtrojë një ndikim për të patur një kod që i përgjigjet interesit të publikut.”, tha ai.
Sa i takon sherrit dhe sulmit mes “copave” të PD, Kulluri tha se Berisha e sulmon Bashën për një arsye të vetme: “Motivi i vetëm që ka Berisha e sulmon Bashën nuk është për shkak të gabimeve që ka bërë Basha në drejtimin e PD, sepse e kanë bërë bashkë, por Berisha ka vetëm një problem; ka një psikozë dhe mendon se ai është PD. Basha me pezullimin e Berishës nga grupi parlamentar ka mbajtur një qëndrim të qartë”, tha ai.
Sa i takon nxjerrjes së përgjegjësive për çështjen e “21 janarit”, Kulluri nënvizoi se Basha nuk beson se do t’i shmanget drejtësisë, nëse gjithmonë organet kompetente do nisnin një hetim dhe do ta thirrini atë të dëshmojë, pasi në kohën e protestave dhe vrasjes së 4 qytetarëve në Bulevard, Basha ka qenë ministër i Brendshëm në qeverinë Berisha.
Sipas tij, Basha është një person, i cili nuk ka frikë nga ligji, por shtoi se ai ka mbajtur qasje konstruktive.
“Nëse ka një hetim për 21 janari është çështje e prokurorisë. Basha do të mbajë të njëjtin standard. Basha as nuk i pengon hetimet dhe nuk duhet të jetë refraktar. Basha nuk besoj se është një nga ata, që tutet nga ligji”, shtoi ai./ n.m.abcnews.al