Votimi i serbëve të Kosovës për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi, të cilat pritet të mbahen më 3 prill, do të duhej të bëhej në të njëjtën mënyrë sikurse në rastin e referendumit për ndryshimet kushtetuese të Serbisë, i cili u mbajt më 16 janar, tha shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila.
Lëvizja Vetëvendosje është partia në pushtet, e cila udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, përmes së cilës shprehu kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votimet për referendumin e shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Kusari-Lila: Votimi për zgjedhjet e Serbisë, njëjtë sikurse për referendumin
Në një konferencë për media, më 17 janar, Kusari-Lila tha se Kuvendi i Kosovës, përmes kësaj rezolute, rikonfirmoi vullnetin e partive politike, në raport me një proces, i cili e shkel sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës.
Sipas saj, votimi, qoftë për referendum, qoftë për zgjedhje parlamentare të një shteti tjetër apo shtetasve tjerë me dyshtetësi, është paraparë në rezolutën e Kuvendit të Kosovës.
“Ekzistojnë metodat se si votohet. Votohet përmes shkuarjes në shtetin ku mbahen zgjedhjet, me postë apo në ambasadat ose zyrat ndërlidhëse të atij shteti”, tha Kusari-Lila.
“Besoj se si parim dhe si proces është përcaktuar dhe mund të bëhen përgatitjet – tashmë dy-tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi – që ato të kryhen në këtë formë, në mënyrë që të kuptohet se Kosova është një tërësi territoriale, një shtet i pavarur dhe sovran dhe është një ligj i aplikueshëm për të gjithë njëjtë, pa përjashtim”, shtoi Kusari-Lila.
Rezolutat e miratuara nga Kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.
Zgjedhjet serbe në Kosovë, “praktikë jokushtetuese”
Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Arsim Bajrami, i cili ka qenë në grupin e ekspertëve që kanë përpiluar Kushtetutën e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova, për një periudhë kohore, ka toleruar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e saj, duke u bazuar në frymën e Dokumentit të Ahtisaarit – në bazë të të cilit dokument u shpall pavarësia në vitin 2008 – por edhe në bazë të një tolerance, përtej obligimeve të saj kushtetuese.
Kjo praktikë, siç thotë ai, ka qenë një qasje konstruktive e Kosovës për t’i dhënë hapësirë dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Por, siç thotë ai, procesi i dialogut nuk ka shënuar përparim, ndërsa Serbia e ka keqpërdorur, siç e quan ai, “zemërgjerësinë e institucioneve të Kosovës”, duke e provokuar sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.
“Edhe kjo praktikë [hapja e vendvotimeve në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë] është jokushtetuese. Unë mendoj që në të ardhmen duhet të sqarohen këto çështje, në kuadër të dialogut [Kosovë-Serbi], sidomos çështja e mbajtjes së mëtejshme të zgjedhjeve serbe”.
“Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë autoritetin e plotë për të vendosur për mbajtjen apo mosmbajtjen [e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë] dhe asnjë dispozitë ndërkombëtare nuk shkelet me këtë – në qoftë se veprohet njëjtë sikurse edhe te rasti i referendumit”, thotë Bajrami.
Mendim të njëjtë ka edhe Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se zgjedhjet e nivelit qendror të Serbisë, janë lejuar të organizohen në Kosovë, të paktën që nga viti 2012, në bazë të një mirëkuptimi, kryesisht të bazuar në shtendosjen e raporteve për zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Sidoqoftë, këto praktika, në njëfarë mënyre, e cenojnë rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës. Prandaj, e njëjta qasje e Republikës së Kosovës që ka ndodhur me referendumin, do të duhej të vazhdonte edhe me zgjedhjet e ardhshme që mbahen në prill, në nivelin nacional në Serbi, duke ua mundësuar qytetarëve serbë që të votojnë qoftë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse [të Serbisë] në Prishtinë”, tha Miftaraj.
Kërcënimet nga Lista Serbe dhe zyrtarët e Beogradit
Më 16 janar, autoritetet e Kosovës nuk kanë lejuar mbajtjen në Kosovë të referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese për gjyqësorin. Kjo ka nxitur reagime të shumta të zyrtarëve të Beogradit dhe të Listës Serbe, parti kjo e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës.
Më 17 janar, në një paraqitje në televizionin TV Prva në Beograd, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi zyrtar, në bashkëpunim me serbët e Kosovës, do të punojë për organizimin e zgjedhjeve të 3 prillit, kur do të votohet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Më 16 janar, në ditën kur në Serbi u mbajt referendumi për ndryshimet në gjyqësor, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, njëherësh ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, tha gjatë një proteste në veri të Kosovës se serbët do të votojnë në zgjedhjet e shpallura nga Serbia më 3 prill dhe paralajmëroi, siç tha, vendosjen e reciprocitetit me Prishtinën.
“Presim, besojmë dhe jemi të sigurt se më 3 prill do të mbahen zgjedhjet. Në qoftë se nuk do të ketë zgjedhje dhe në qoftë se bashkësia ndërkombëtare nuk e ndihmon organizimin e procesit zgjedhor më 3 prill, do t’i vendosim të gjitha masat e reciprocitetit”, tha Rakiq, pa dhënë ndonjë shpjegim se për çfarë masash të reciprocitetit e ka fjalën.
Markoviq: Deklaratat “e nxituara” nuk duhet kuptuar seriozisht
Igor Markoviq, nga organizata joqeveritare “Aktiv” në Mitrovicën e Veriut, vlerëson se deklaratat e kryetarit të Listës Serbe lidhur me masat e reciprocitetit ndaj institucioneve të Kosovës, nuk duhet kuptuar seriozisht, sepse janë “të nxituara”.
Ai shton se Rakiq “është dashur të arsyetohet në njëfarë mënyre se përse referendumi serb nuk është mbajtur në Kosovë”.
“Kjo deklaratë e nxituar tingëllon sikur një kërcënim momental. Prilli është afër, por duhet të kihet parasysh qëndrimi i fortë i Kurtit ndaj Beogradit… Nuk besoj se Qeveria e Kurtit do të lejojë në muajin prill që të mbahen zgjedhjet, të cilat do t’i organizojë Republika e Serbisë”, thotë Markoviq.
Sipas tij, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë është distancuar në mënyrë të qartë, duke thënë se nuk mund të ndërmjetësojë për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa lejen e autoriteteve të Kosovës.
Markoviq rikujton se Lista Serbe, në disa raste më herët, ka paralajmëruar daljen nga institucionet e Kosovës ose bojkotimin e tyre, porse një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në terren.
Megjithatë, ai thotë se është më se e nevojshme që të zbutet retorika e të dyja palëve, gjë të cilën, siç kujton ai, e ka kërkuar edhe bashkësia ndërkombëtare ditëve të fundit.
Praktikat kundërkushtetuese “nuk i obligojnë institucionet e Kosovës”
Më 14 janar, pas takimit që krerët e institucioneve më të larta të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti kanë mbajtur me ambasadorët e Quint-it, ata kanë thënë se “praktikat e deritanishme, të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese” dhe se ato “nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës”, të dala nga “vullneti i qartë i qytetarëve”, i shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021.
“…aq më tepër kur këto praktika kanë rezultuar vetëm me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, kanë thënë në deklaratën e përbashkët tre udhëheqësit e institucioneve të larta të Kosovës.
Praktikat nga viti 2012 e këndej nuk flasin për mbajtjen e ndonjë referendumi të Serbisë në Kosovë. Një i tillë është mbajtur në vitin 2006. Por, serbët e Kosovës vazhdimisht kanë organizuar votimet në Kosovë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, ndërsa grumbullimin e votave e ka bërë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Ndalimi i mbajtjes në Kosovë të referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese për gjyqësorin ka nxitur reagime të shumta edhe nga ambasadorët e vendeve të Quint-it – SHBA-ja, Italia, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar – si dhe nga Bashkimi Evropian, të cilat sugjeruan që të lejohej mbajtja e tij.
Bajrami: BE-ja të vendosë kritere të njëjta për të dyja shtetet
Por, a priten reagime të ngjashme edhe në rast se Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë organizimin e votimeve në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, më 3 prill? Profesor Bajrami vlerëson se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës do të duhej të sqarojnë se çfarë kërkojnë nga ajo.
“Përderisa ata po favorizojnë Serbinë me hapjen e kapitujve [drejt anëtarësimit në BE] dhe po bëjnë presion te Kosova për të bërë në vazhdimësi kompromise, ata, në raport me Kosovën, nuk po e përdorin të njëjtin kriter, sepse jemi i vetmi shtet që po mbahemi i getoizuar me çështjen e vizave. Mendoj se ka ardhur koha që sidomos Bashkimi Evropian të vendosë kritere të njëjta në raport me këto dy shtete dhe t’i ndalojë presionet, të cilat vazhdimisht bëhen vetëm ndaj palës së Kosovës”, thekson Bajrami.
Miftaraj: Një përgjigje e arsyetuar për partnerët ndërkombëtarë
Ehat Miftaraj vlerëson se kërkesat eventuale nga vendet partnere të Kosovës, që ajo të bëjë lëshime për zgjedhjet serbe të 3 prillit, nuk do të ishin në harmoni me rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës dhe as me praktikat dhe standardet ndërkombëtare lidhur me organizimin e zgjedhjeve.
“Besoj se edhe partnerët ndërkombëtarë, në qoftë se do të marrin një përgjigje të arsyetuar, e cila është e bazuar në Kushtetutë dhe në praktika e standarde ndërkombëtare, do ta kenë më lehtë të pranueshme. Unë besoj se presidentja, kryeministri, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të kenë dialog konstruktiv dhe duhet të kenë fushata ose takime me partnerët ndërkombëtarë – jo të presin në prill kur vijnë zgjedhjet, por paraprakisht – për t’i informuar shtetet mike se përse mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, në njëfarë mënyre, e cenon edhe vetë dialogun, por edhe Kushtetutën dhe standardet e praktikat më të mira ndërkombëtare”, thotë Miftaraj.
Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë ndër vite
Vetëm pak muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt, 2008, Serbia organizoi zgjedhjet parlamentare në mjediset me shumicë serbe në Kosovë. Në këto zgjedhje, të cilat u mbajtën më 11 maj, 2008, sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë, të drejtën e votës në vendvotimet në Kosovë e shfrytëzuan rreth 90 mijë qytetarë të Serbisë.
Zgjedhjet parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës u mbajtën më 2012, më 2014 dhe më 2016. Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat Serbia i organizoi në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, u mbajtën më 21 qershor, 2020.
Në atë kohë, sipas praktikës së vendosur, Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë grumbulloi fletëvotimet. Kjo praktikë e grumbullimit të votave u krijua në vitin 2017 dhe deri më tani ka pasur leje nga autoritetet e Kosovës për diçka të tillë.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, votat nga Kosova u numëruan në Rashkë dhe Vranjë – qytetet kufitare të Serbisë.
Zgjedhjet presidenciale të Serbisë u mbajtën në Kosovë në vitin 2017 me metodën e “mbledhjes së votave”, ndërsa para kësaj Serbia organizoi zgjedhjet presidenciale në Kosovë në vitin 2012.
Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë nuk u mbajtën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, pasi që procesi i decentralizimit filloi në të njëjtin vit, bazuar në planin e Martti Ahtisaarit, kur edhe u formuan komunat me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër: Graçanica, Shtërpca, Novobërada, Kllokoti, Parteshi dhe Ranillugu.
Në veri të Kosovës, katër komuna me shumicë serbe, sipas sistemit të Kosovës, janë formuar vetëm pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2013.
Edhe pse atëherë Beogradi zyrtar u pajtua për shfuqizimin e vetëqeverisjes lokale sipas sistemit serb, kjo nuk ndodhi, kështu që organet e përkohshme komunale në mbarë Kosovën vazhdojnë të funksionojnë, të financuara nga buxheti i Serbisë, dhe kryetarët e komunave të emëruar nga Qeveria serbe. / REL/