A do ndryshojnë masat anti-COVID? Manastirliu: Po rishikojmë afatin e dozës së tretë dhe karantinën

schedule12:45 - 2 Shkurt, 2022

schedule 12:45 - 2 Shkurt, 2022

Pavarësisht se shumë vende në Europë po heqin masat kundër COVID, autoritetet shëndetësore në vendin tonë thonë se është herët për të shpallur fitoren mbi virusin. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi pas vendimit të sotëm të këshillit të ministrave se masat në vendin tonë janë të intensitetit të ulët dhe mesatar, ndërsa nënvizoi se 98% e rasteve janë me të prekur me Omicron.

“Do të doja ta nisja duke përmendur atë kreu i OBSH ka deklaruar dje. Është ende herët për të shpallur fitoren. Ajo që po bëjnë vendet e tjera është një vlerësim epidemiologjik. Masat në Shqipëri janë masa që konsiderohen të intensitetit të ulët dhe mesatar.

Situata po vlerësohet në mënyrë dinamike. Është një situatë që na bën të jemi të vëmendshëm sa i përket lehtësimit të masave. Kemi mbi 18 mijë raste aktive. Mbi 98% janë me Omicron. Situata në spitale është e qëndrueshme. Ashtu si e thashë është herët për të shpallur fitoren ndaj virusit, bazuar në indikatorët që janë në vlerësim e sipër’, u shpreh ministrja.

Ajo deklaroi se po rishikohet afati i marrjes së dozës së tretë të vaksinës për të ulur afatin e marrjes së saj në më pak se 6 muaj pas dy dozave të para dhe ulja e ditëve të karantinës për të infektuarit si pasojë e klinikës që shfaq Omicron te pacientët.

“Situata e vaksinimit po ecën me ritme të qëndrueshme. Sa i përket vaksinimit të popullatës +16 vjeç kemi arritur një 56% me dy doza. Sa i takon dozës përforcuese ka dhënë shumë garanci për uljen e shtrimeve dhe rasteve të rënda. Komiteti po rishikon bërjen e dozës përforcuese para afatit 6-mujor. Po rishikohet edhe afati i karantinës për shkak të klinikës ndryshe të Omicron”, deklaroi ministrja.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!