BRUKSEL- Shqipëria ka mbyllur tre kapitujt e parë negociues me Bashkimin Evropian, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të vendit.
Në konferencën për mediat pas Konferencës së Nëntë Ndërqeveritare me BE në Bruksel, kryeministri Edi Rama u shpreh optimist për vijimin e procesit, duke theksuar se Shqipëria po ecën sipas kalendarit të dakordësuar me Komisionin Evropian.
Rama tha se puna e bërë deri tani dhe përmbushja e detyrimeve të përcaktuara kanë bërë që objektivat e vendosura për integrimin të jenë gjithnjë e më ambicioze.
Kryeministri theksoi se Shqipëria duhet të vijojë punën pa ndërprerje për realizimin e reformave dhe përmbushjen e kërkesave të procesit të anëtarësimit.
Sipas Ramës, aktualisht ekziston një klimë pozitive nga partnerët evropianë dhe një vullnet i përbashkët për të avancuar procesin e zgjerimit.
“Ajo që është më e rëndësishme është se, deri tani, jemi në drejtimin e duhur me kalendarin tejet ambicioz që është diskutuar dhe për të cilin është rënë dakord me Komisionin. Falë detyrave të shtëpisë që kemi bërë deri tani, ky kalendar bëhet gjithmonë e më ambicioz.
Ne duhet të punojmë gjithmonë e më tepër, pa reshtur. Nëse atmosfera do të jetë ajo që kemi përjetuar gjatë kësaj periudhe të fundit, çdo gjë do të jetë aty ku duhet dhe çdo detyrë shtëpie do të bëhet siç duhet. Deri më tani nuk kemi arsye të besojmë se do të ketë një ndryshim atmosfere. Të gjithë janë të prirur që të shtyjnë përpara dhe të gjejnë mënyrat më të shpejta për ta mundësuar këtë.
Jam shumë optimist, në mënyrën shqiptare, kështu që jam gati për të ecur përpara dhe për t’u përballur me sfidat, nëse ato shfaqen. Presidenca irlandeze na jep komfort, sepse Irlanda ka dëshmuar përmes shembullit të saj se progresi eksponencial është i mundur dhe se irlandezët nuk pranojnë asgjë përveç ekselencës si objektiv. Ne u besojmë miqve tanë irlandezë. Deri tani, gjithçka po shkon mirë”, tha ai.
Mbyllja e tre kapitujve të parë përbën një etapë të rëndësishme në negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ndërsa objektivi i qeverisë shqiptare është përmbyllja e procesit negociues brenda vitit 2027.
/abcnews.al



