“A do e lironi zyrën nëse shkarkoheni?” Meta “shkrihet” së qeshuri: Më mbron Kushtetuta

schedule20:35 - 7 Shkurt, 2022

schedule 20:35 - 7 Shkurt, 2022

“A do e lironi zyrën nëse shkarkoheni nga Gjykata Kushtetuese?”, ishte kjo pyetja e një gazetari të cilën presidenti Ilir Meta e priti me të qeshura gjatë konferencës për shtyp ku po fliste për betejën me parlamentin dhe Gjykatën Kushtetuese ndërsa kjo e fundit pritet të marrë vendimin për shkarkimin e tij. Me përgjigjen e tij, presidenti la të kuptohej se nuk ka ndërmend ta lirojë zyrën e tij kushdo qoftë vendimi i Gjykatës Kushtuese duke argumentuar se ai mbrohet në mënyrë të veçantë nga Kushtetuta.

“Kjo ishte pyetje e mrekullueshme e jashtëzakonshme. Institucioni ka qenë në shërbim të popullit dhe presidenti që ta dini se ju e dini… Presidenti ka mbrojtje të veçantë nga kushtetuta e Shqipërisë. Prandaj  edhe duhet mbi 2 të 3 për ta shkarkuar presidentin që të mos bëhet noter i qeverisë dhe skllav i pushtetit. Dhe kushtetuta e thotë qartë se presidenti vetëm për shkelje të rënda të kushtetutës dhje kryerjen e krimit të rëndë këto janë ato që kanë të bëjnë me tradhtinë ndaj atdheut. Pse është nxitur i gjithë ky proces është se Meta nuk ka tradhtuar interesat e vendit. Ne të gjithë do të monitorojmë mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore të cilat janë të shenjta, kështu që besoj se e morët një përgjigje”, tha Meta.

Lexo edhe: “Beteja” me Parlamentin në Prokurori, Meta: Nesër çojmë padinë, “veprimet” e tyre kriminale

Çfarë ndodhi sot në seancën për shkarkimin e Metës? Gjykata Kushtetuese përmbylli shqyrtimin gjyqësor në lidhje me vendimin e Kuvendit për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe u tërhoq për vendim.  Në këtë seancë të fundit ishte radha e Presidentit që t’u përgjigjej 72 pyetjeve që gjykatësit ia bënë të premten e javës që shkoi.  Në vend të përgjigjeve, trupa gjykuese u njoh me disa qëndrime shtesë të asaj që Presidenti e quan shkelje të procedurave ligjore nga ana e Kuvendit. Përfaqësuesi i Presidentit i tregoi trupës se sipas tyre Kuvendi ka manipuluar provat që i ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, për të hedhur poshtë pretendimet e kreut të shtetit se organi ligjvënës ka vepruar në paligjshmëri gjatë mbledhjeve për shkarkimin  e Metës.

Bëhet fjalë për një ndryshim date në dokumentet gjatë procesit të shkarkimit të Presidentit nga Kuvendit. Kjo u deklarua nga Presidenca si një shkelje e rëndë e radhës që e bën shkarkimin e Metës nga Kuvendit të paligjshëm. Pretendime të kundërta paraqitën përfaqësuesit e Kuvendit, për të konkluduar në kërkesën e tyre finale, shkarkimin e Ilir Metës nga posti i kryetarit të shtetit. Sapo u mbyll seanca në Kushtetuese, presidenti tha se do të hapë një proces gjyqësor në prokurori, padi të cilën do ta dërgojë nesër. Kreu i shtetit do të padisë Kuvendin për manipulim dhe falsifikim dokumentesh zyrtare. Si duket nuk do të ketë heshtje deri në vendimin e Gjykatës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!