Pas një rritjeje të vazhdueshme të taksave në mandatin e parë, qeverisja e majtë, ndryshon kurs në mandatin e dytë duke bërë diferencime taksash. Një politike e kritikuar prej kohësh nga ekspertët ndërkombëtarë.
Përfundimi i marrëveshjes detyruese me FMN-në, ka mundësuar që për herë të parë pas katër vitesh qeveria shqiptare të ndryshojë kursin e saj në politikën e taksave.
Për të nxitur investimet e huaja qeveria hedh në tryezë sektorin e turizmit, me një taksë të diferencuar mes operatorëve turistikë në tërësi dhe atyre me 4 e 5 yje. Ndryshimi kryesor është tatimi mbi vlerën e shtuar, 20% për të gjitha shërbimet turistike, përjashtuar fjetjen, dhe 6% TVSH të gjitha shërbimet e hoteleve me 4-5 yje. Kjo pjesë e turizmit nuk do të paguajë tatim-fitim për dhjetë vjet. Hotelet e reja të këtij niveli nuk do të pagujanë as taksën e ndikimit në infrastrukturë.
Pas nismës për të shtrirë pagesën e TVSH-së edhe tek biznesi i vogël, qeveria vendosi të ulë pragun e TVSH-së nga biznese me xhiro vjetore 5 milionë lekë aktualisht ne 2 milionë lekë vitin e ardhshëm. Kjo nismë pritet të kalojë si taksapeus të TVSH-së mbi 60 mijë biznese, ndërsa 19 mbeten jashtë skemës. kryesisht ambulantë e tregtarë në tregjet e bashkive.
Por, taksa e pronës do të ndihet gjerësisht nga familjet shqiptare vitin e ardhshëm.
Kalimi nga një vlerë fikse për m2 në përqindje të vlerës reale të pronës, pritet të rrisë me 2-3 herë vlerën e taksës vjetore. Deri më tani paguhej 15 l/m katror për banesat e ndërtuara para vitit 1993 dhe 30 l m3, për banesat e ngritura pas kësaj periudhe. Prej vitit të ardhshëm, pagesa me 0.05% e vlerës së pronës pritet ta çojë taksën për një banesë rreth 100 metra katrorë nga 1900 lekë në 3700 lekë në vit.
Taksimi i pronës është një kërkesë e hershme e konsulentëve ndërkombëtarë, ndërsa nuk këshillojnë ndryshim të shpeshtë të taksave dhe aplikimit të taksave të diferencuara, siç është TVSH për turizmin.
Në daljen e fundit për mediat, ekonomistë të Bankës Boterore në Tiranë, theksuan se ulja e taksës nuk e zhvillon një sektor më shumë se një klimë e mirë biznesi me ligje të zbatueshme./abcnews.al
https://youtu.be/27dNKHfZxfI