Gjykata e Tiranës i dha fund shqyrtimit padisë për “shpifje” të deputetit, Taulant Balla, kundër kreut të PD, Lulzim Basha. Vendimi përfundimtar pritet të shpallet në 21 janar, ndërsa përfaqësuesi i prokurorisë në këtë gjykim vlerësoi se padia duhet të pushohet.
Gjykata e Tiranës do të shpallë në 21 janar vendimin përfundimtar për padinë për “shpifje” deputetit socialist, Taulant Balla, kundër kreut të Opozitës, Lulzim Basha. Këtë të hënë gjykata i dha fund shqyqtimit të çështjes, duke u tërhequr për shtatë ditë në dhomën e këshillimit.
Në konkluzione, avokati i kreut të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste tha se Basha kishte shpifur në qershor të vitit 2018 në Parlament kur lidhi emrin e deputetit Balla me “Toyotat yaris” ku u gjendën miliona euro. Duke pretenduar se kreu i Opozitës kishte pohuar fakte të pavërteta për të dëmtuar figurën e Ballës dhe për të fituar kredo politike, avokati këkroi deklarimin fajtor të Lulëzim Bashës për “shpifje”. Ndonëse prezent në sallën e gjyqit, deputeti Balla nuk shtoi pretendime, por konfirmoi se ishte dakord me avokatin.
Ndërsa avokatët e Lulzim Bashës, kërkuan pafajësi për klientin e tyre, ose pushim të çështjes, me argumentimin se prej tij nuk ishte kryer asnjë vepër penale. Sipas tyre, pala akuzuese nuk kishte sjellë asnjë provë për të provuar pavëertetësinë e akuzave.
Në të njëjtën linjë ishte edhe përfaqësuesi i prokurorisë në sallën e gjyqit. Duke u bazuar edhe në disa praktika të Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Prokurori Agron Gjana vlerësoi se çështja duhet të pushohet, pasi nuk ka elementë të veprës penale.
Qëndrimi i tij u komentua jashtë sallës së gjyqit nga deputeti Balla, i cili kërkoi nga prokurorët më shumë shpejtësi në hetimin e dosjes “Toyota Yaris”.
“Beteja me shpifjen vijon. Thirrja ime ndaj Prokurorisë është që për çështja në fjalë të përmbyllen hetimet sa më shpejt. Edhe qytetarët mezi presin që Prokuroria të mos e vazhdojë më këtë histori”,- tha Balla. /abcnews.al