Kreu i SPAK-ut liston kërkesat: Nuk kemi letra më, duam 10 mln lekë dhe godinë të re, po vjen BKH

schedule13:30 - 11 Nëntor, 2021

schedule 13:30 - 11 Nëntor, 2021

Drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja ishte sot në Komisionin e Ligjeve për të folur në lidhje me buxhetin e vitit 2022 dhe kërkesat që ka Prokuroria e Posaçme. Kraja u shpreh se me nisjen e punës nga Byroja Kombëtare e Hetimit kërkohet një tjetër godinë.

Ne jemi të kënaqur në parim me atë që është paraqitur. Kemi dy probleme që duhet t’i shtroj këtu. Problemi i parë është nevoja e një ndërtese për Byronë Kombëtare të Hetimit. Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e ngritur në varësinë tonë që ka organikë 60 hetues, shto drejtorin plus 20 administratë, është një numër goxha i madh.

Deri tani është përfshirë në objektin që jemi ne në gjendje shumë të mirë, por nga pikëpamja fizike është e pamundur me i përballuar të gjithë këta njerëz. Për momentin po përballohen sepse Byroja Kombëtare e Hetimit për momentin ka 28 hetues nga 60, procedura e dytë e emërimit përfundon në dhjetor dhe do të bëjnë një lloj trajnimi 4-mujor dhe do të duhet që ata 32 të tjerët duhet të sistemohen deri në maj.

Ne kërkuam një fond për një godinë të re. U hodh ideja për të gjetur një objekt që është gati dhe ta marrim dhe situata është që KLP i ka dërguar një letër qeverisë, ministrit të Drejtësisë që e ka ngritur këtë si problem dhe ka propozuar dy tre objekte rrotull. Ne jemi tërhequr nga kërkesa për fondin nëse do të gjendet një objekt gati. Është një problematikë që duhet të marrë zgjidhje deri vitin e ardhshëm dhe duhet të jetë në vëmendjen tuaj” tha Kraja.

Gjithashtu Kraja kërkoi që të mos ulej fondi i investimeve. “Kemi dy momente, përsa i përket fondit të investimeve për 2022 janë ulur 10 milionë lekë, por mendoj se duhet të na jepet se do të vijë Byroja do të na duhet për pajisje dhe investime. 10 milionë të reja, jo të vjetra, se të vjetra nuk jua kërkoj fare (qesh). Dhe e dyta tek fondi i shpenzimeve është një shifër 20 milionë që kërkojmë të na shtohet nisur nga ngarkesa në punë dhe rritja e numrit të hetuesve”.

Në fund, kreu i SPAK-ut u shpreh se si pasojë e fluksit të jashtëzakonshëm të punës nuk kanë më letër për të printuar dokumentet. “E filluam vitin, po e them pak me humor, me idenë se do të na teprojë letra, s’dimë ku do ta çojmë, sot po më thoshte drejtori se nuk kemi letër më, sepse ka filluar punë Byroja e Hetimit dhe është rritur fluksi në mënyrë të jashtëzakonshme” tha ai./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!