Denoncimi i ministrit, tregtari që mori gjobë: Sollën zarfin, s’më lanë ta hap, kam tre muaj në stres

schedule12:20 - 11 Nëntor, 2021

schedule 12:20 - 11 Nëntor, 2021

Edmond Metushi tregtari fruta perimeve, i gjobitur nga AKU në mënyrë paligjshme, rast i denoncuar në SPAK nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka folur për mediat duke theksuar se nuk ka dijeni pse i kanë vendosur gjobë. Metushi shprehet se prej vitesh ka hapur biznesin e tij dhe bashkë me të shoqen janë të siguruar.

Ai tregon se gjoba 4 mln lekë i ka ardhur me postë dhe postieri i ka kërkuar të hedhë firmën pa i treguar përmbajtjen e dokumentit.  Metushi nuk ka pranuar duke ankimuar gjobën e vendosur nga AKU.  Sipas tij njëri nga inspektorët i ka kërkuar të mbyllë biznesin, “të shpëtosh ti të shpëtojmë dhe ne”, citon Metushi t’i ketë thënë inspektori.

“Dje tërë ditën kam qenë në polici. Kur vij këtu, gruaja nuk ishte këtu, kishin marrë gruan. Pse e kam unë atë gjobë. Ku janë vendosur këto gjoba. Erdhën tre ditë rresht rrinin te dera. Me detyrime të rregullta. Me siguracion të dy burrë e grua. Ai ka hedhur dhe firmën time atje te gjoba. Unë nuk e di nëse është vendosur gjobë apo jo. Erdhi postieri këtu tha hidh firmë. E vazhdova me avokat këtë punë. Kemi bërë ankimim. Ka folur edhe ministri i drejtësisë.

Kam kaluar në stres. Kam tre muaj që jam në stres. Shikoj njerëz që vijnë këtu dhe them erdhën ata prapë. Kam bërë ankimim te avokati. Nuk jam dakord me gjobën. Ta shikoja edhe unë pse e kanë vënë gjobën. Ai më thoshte mua ik te ADISA mbylle biznesin të shpëtosh ti të shpëtojmë dhe ne. Na e ka thënë ai zotëria emrin nuk ia di. Kjo na dëmton të gjithëve. Na kanë thënë ik e mbyll biznesin. Na kërkonte fatura TVSH. Bënte foto dhe fliste në telefon. Pinte dhe duhan brenda. Kërkoj të drejtën time të më hiqet gjoba dhe shteti pastaj të vazhdojë me punët e tij”, shprehet ai.

Dy ditë më parë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja denoncoi në SPAK inspektorët e AKU për një gjobë të vendosur në shkelje të ligjit në datat 14-15 shtator, duke theksuar se në lidhje me këtë çështje ka edhe pamje filmike. Manja paralajmëroi hetim edhe për drejtuesit e AKU që nuk kanë marrë masa në lidhje me këtë gjë.

Policia e Fierit ka nisur hetim për inspektorët e AKU për shpërdorim detyre. Në lidhje me këtë situatë nuk ka asnjë sqarim nga drejtuesit e AKU Fier. Burime bëjnë me dije për ABC se jashtë kamerave drejtori Ylli Hasabjelli ka deklaruar se ka të ndaluar të prononcohet në lidhje me këtë ngjarje. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!