Mohamed Salah është shpëtimtari i LiverpulitMohamed Salah është lojtari i momentit tek Liverpuli. Sulmuesi nga Egjipti po shënon gola vendimtarë, siç bëri edhe në ndeshjen e fundit në kampionat, ndaj Brajtonit.
Pas humbjes në fushën e Sitit, edhe ky eleminim. Liverpuli ishte si ai boksieri që kishte marrë dy grushta radhazi, dhe ndodhej në prag të nokautit, por për fat, në radhët e veta, ka një lojtar që e shpëton në momentet më të vështira.
Ky është Mohamed Salah, që shënoi një tjetër gol të rëndësishëm këtë sezon, duke vulosur një nga fitoret më të vuajtura, por edhe më vendimtare, 1-0 në fushën e Brajtonit.
Sulmuesi nga Egjipti shënoi golin e vetëm të ndeshjes, pasi fitoi vetë penalltinë, dhe Liverpuli u ngjit në kuotën e 57 pikëve në Premier Ligë, kryesues dhe me diferencë prej 7 pikësh nga Mançester Siti që do ta luajë të hënën sfidën e kësaj jave.
Ndeshja nuk ishte aspak e bukur, por trajneri Jurgen Klop e dinte se, në çaste të tilla nuk vlen paraqitja, por rezultati.
“Kjo ishte paraqitja më e pjekur e sezonit, – ishin fjalët e trajnerit pas ndeshjes, – nuk ishte aspak e lehtë, por ia dolëm. Gjendja jonë ishte si ajo e kalorësit kur rrëzohet nga kali, dhe duhej të ngjiteshim sa më shpejt në shalë. Nuk isha i shqetësuar nga dy humbjet, pasi luajtëm mirë edhe në ato ndeshje, por lojtarët ishin nervozë. Jam i lumtur për reagimin e tyre”.
Këtë thekson edhe gazeta “Deili Meil”, që titullon se Liverpuli shkon 7 pikë në avantazh në krye, por duke mos qenë I bukur, dhe se u desh Salahu për të siguruar fitoren ndaj Brajtonit të guximshëm.
Klop duhet t’ia dijë për faleminderit pikërisht Salahut, që ka arritur në 17 gola këtë sezon, duke ndihmuar Liverpulin të jetë në krye të renditjes, por edhe të kualifikohet për në turin e dytë të Championsit. /abcnews.al