Të gjithë kundër Edi Ramës

schedule16:59 - 12 Janar, 2019

schedule 16:59 - 12 Janar, 2019

2019-a ka nisur me një përplasje të fortë publike mes Presidentit dhe Kryeministrit të vendit. Mosdekretimi i një tjetër ministri të qeverisë, ishte shkëndija që ndezi një tension politik që nuk duket i panjohur, e shkon përtej institucioneve. 

Ilir Meta dhe Edi Rama po shënojnë përplasjen më të fortë publike mes tyre, nga posti i Presidentit e ai i Kryeministrit, me një stil që ia kishin kursyer njëri-tjetrit, në përplasjet e 20 viteve të fundit. Intensiteti i kësaj përplasje po sfumon rikthimin e studentëve në protestë e bojkot, si dhe thellimin e skandalit të kompanisë përfituese me letra false të Unazës së Re e asistuar nga institucionet shqiptare, sipas VOA. Shkak i përplasjes së re Meta-Rama është bërë refuzimi i presidentit për të dekretuar këtë 28 vjecar të lindur në Kosovë, në postin e ministrit për Evropën e Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Po çfarë po ndodh vallë në nisje të këtij viti politik?

Teksa pritej rikthimi i studentëve, Rama i dërgoi vetë Presidentit Meta të premten e 4 Janarit, emrat e ministrave të rinj, pas riformatimit të më shumë se gjysmës së qeverisë, në transmetim të dpd tv 24 dhjetorin e kaluar, gjatë Asamblesë Kombëtare të PS. Një ditë më pas Ilir Meta dekretoi shkarkimin e 6 nga 7 ministrat e propozuar. Për herë të parë një President, nuk miratoi propozimin e kryeministri, për shkarkim ministri. Dekretoi vetëm 4 prej 9 të propozuarve si ministrat e rinj, ata që mbanin detyrën e deputetit, pasi kriteret e të qenit anëtar i parlamentit, vlejnë sipas Kushtetutës për postin e ministrit.

Presidenti e sqaroi precedentin që krijoi duke refuzuar shkarkimin e një ministri, atij të jashtëm. E për herë të parë një kryetar shteti pranoi se akti i tij nuk kishte të bënte me Kushtetutën, e cila i shërben si bazë, për vendimmarrjen e vet. Presidenti sqaroi publikun sa herë iu dha rasti, se afatin 7 ditor që i njeh Kushtetuta për dekretim, po e përdorte për të verifikuar emrat e rinj të propozuar nga kryeministri.

A po përsëritej vallë precedenti Lleshaj? Kjo pikëpyetje kishte ndezur debatin në mediat e reja e ato tradicionale, ndërsa mungesa e eksperiencës së 28 vjecarit nga Kosova, i propozuar si ministër i Jashtëm, ishte kryefjala, që sfumoi çdo emër tjetër të propozuar. Po cili është Gent Cakaj? Për të nuk gjendet një CV zyrtare nga institucionet e vendit, por të dhëna fragmentare, sipas të cilave eksperiencën e punës e ka patur vetëm me qeverinë Rama, së pari si këshilltar i Kryeministrit për një periudhë të padeklaruar, e prej 7 muajsh zv/ministër i Jashtëm, e kryenegociator i Shqipërisë për hapjen e negociatave të antarësimit me BE, i emëruar nga Rama, pasi KE e la edhe një vit në pritje Shqipërinë, duke i kërkuar rezultate konkrete. Të dhëna telegrafike për të, gjenden në faqen forumit Bled të Sllovenisë, ku Gent Cakaj ka përfaqësuar Shqipërinë, si zv/ministër i Jashtëm.

Të mërkurën e 9 janarit, Ilir Meta dekretoi 4 ministrat e rinj, por jo shkarkimin e Bushatit e emërimin e Gent Cakajt. 28-vjeçarin e propozuar për ministër të Jashtëm, e rrëzoi një ditë më pas. Tre ishin arsyet e renditura në refuzim. E para, pjesë edhe e debatit publik, mungesa e eksperiencës.

Presidenti kujdeset t’i japë publikut edhe një tjetër detaj, që ilustron një mbështetje të posacme për 28-vjeçarin: verifikimi në një kohë rekord i figurës së tij, edhe pse ka jetuar në 4 shtete, Kosovë ku ka lindur, Shqipëri ku jeton e gëzon shtetësinë dhe Hungari e Belgjikë, ku ka studiuar. Për këto arsye presidenti shkruan se e refuzon kandidaturën e Cakajt, pasi sipas tij nuk plotëson kushtet, e nuk krijon besueshmëri për detyrën e ministrit Të jashtëm.

A e kishte gjetur vallë të papërgatitur ky refuzim? Sipas presidentit jo. Zgjodhi ta sqaronte për një media, e jo për gjithë publikun, përmes shefit të tij të kabinetit, se e kishte thirrur Kryeministrin një ditë më parë, për ta njohur me arsyet e refuzimit të Gent Cakaj. Pa dhënë detaje të komunikimit 20 minutësh mes tyre, u deklarua se Meta i kishte sugjeruar Ramës që ta merrte vetë përsipër edhe rolin e ministrit të Jashtëm, sipas modelit Tsipras, ndërsa Cakajn e vlerësuar publikisht nga kreyministri si personi më i lexuar që kishte njohur, ta emëronte ministër të Kulturës.

Refuzimi të enjten i Ilir Metës tregoi se secili kishte qëndruar në pozicionin e vet. Dukshëm kreu i shtetit po e shfrytëzonte precedentin që vetë krijoi me refuzimin e Lleshajt, në komoditetin e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, ku vendimet e tij mund të atakohen. Por duket se Ilir Meta ka mësuar nga rasti Lleshaj, të cilin, pas dekretimit të shkarkimit të menjëhershëm të Fatmir Xhafajt, Rama pati luksin ta emëronte zv/ministër me funksione ministri, kur Meta e refuzoi. Këtë herë kreu i shtetit nuk dekretoi shkarkimin e ministrit Bushati, duke pamundësuar kështu që kryeministri të përsërisë taktikën e Lleshit, e ta emërojë Gent Cakajn zv/ministër me funksione ministri.

E megjithatë Edi Rama nuk duket se ka ndërmend të tërhiqet. Në pritjen tradicionale me ambasadorët e huaj të akredituar në Shqipëri, u shfaq me ministrin në detyrë Bushati, të cilin e ka shkarkuar, dhe të propozuarin si zëvendësues, Gent Cakajn, i rrëzuar pak orë më herët nga kreu i shtetit. E në këtë panoramë kaq të pazakontë diplomatike, për herë të parë një km, shigjetoi të parin e para diplomatëve të huaj, të cilët akreditohen pikërisht prej presidentit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!