Analistët: Ndryshimi i emrit të Maqedonisë, realitet i ri premtues

schedule15:45 - 12 Janar, 2019

schedule 15:45 - 12 Janar, 2019

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni është përshëndetur nga qendrat ndërkombëtare të vendosjes, si një akt që përfundimisht zhbllokon integrimin euroatlantik të vendit i cili, konform Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, tash e tutje edhe zyrtarisht do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut. Në një analizë Seladin Xhezairi, thotë se ky realitet i ri pritet të sjellë ndryshime cilësore edhe në skenën politike të vendit.

Ish-kryediplomati i parë i Maqedonisë së pavarur, pedagog universitar dhe intelektual i shquar, Denko Maleski, kishte shkruar para një dekade, duke iu referuar historisë politike, se ‘gjatë situatave të vështira – të lëshosh pak pe do të thotë t’i shtosh mundësitë që të mos humbasësh – më shumë’!

Profesori i nderuar e pati thënë këtë në mbështetje të angazhimeve, atëbotë të vetmuara, për forcimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve, por kjo qasje vlen edhe tani me rastin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese që dalin nga Marrëveshja e Prespës e me të cilat Republika e deridjeshme e Maqedonisë, sikurse qëndron në Kushtetutë, Republika ish-jugosllave e Maqedonisë, sikundër është pranuar në Kombet e Bashkuara, tash e tutje ripagëzozohet në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Nëse ditëve në vijim Traktati me Greqinë do të përligjet edhe nga Parlamenti në Athinë, atëherë kjo do ta çojë përfundimisht në muzeun e historisë konfliktin prej gati tri dekadësh lidhur me emrin, që mbajti peng integrimin euro-atlantik të vendit, dhe që ashiqare hap një kapitull të ri të bërjes së historisë në hartën etnikisht të larmishme gjeopolitike të Ballkanit dhe, po ashtu, duket se e shkëput Maqedoninë njëherë e përgjithmonë nga skenari i alternativës lindore karshi përcaktimit mbizotërues strategjik pro-perendimor.

Procesi i Prespës, një ndër më të rëndësishmit, pas krijimit të Republikës Demokratike Federative të Maqedonisë, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pavarësimit të saj, pa gjakderdhje, nga ish- federate jugosllave, në vitin 1991, dhe Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të armatosur më 2001, sipas analistëve, ka për të vendosur një realitet të ri në Evropën Juglindore, në sensin e forcimit të sigurisë e të mirëqenies ekonomike e sociale, por edhe të kulturës politike në tërësi, në planin e brendshëm.

U mor vesh se kjo nuk ka për të ndodhur brenda natës, për shkak se shembja e miteve nuk është punë që bëhet, sa çel e mshel sytë, por zgjidhja e problemit të emrit është alarmi i fundit për forcat politike maqedonase q le të rikujtojmë, gjithë fushatat e deritashsme elektorale i ndërtonin mbi ofertën e mjegullt – se atë ‘nuk e japim’, por edhe për partitë shqiptare, po ashtu, për shkak se forcimi i pozitës kushtetuese të elementit shqiptar, imponon nevojën që të dyja kampet politike të dalin përpara elektoratit me oferta të kapshme dhe të bëshme dhe, për më tepër, të mos harrojnë llogaridhënien!  Sprovë e parë për këtë mbase kanë për të qenë zgjedhjet presidenciale apo, pse jo, edhe ato të parakohshme parlamentare!/abcnews.al