Një grup anëtarësh të Kongresit Amerikan Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern dhe Mike Quigley i dërguan një letër presidentit amerikan Joe Biden, duke i kërkuar atij të konsideronte vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, dhe të vazhdonte të angazhohej me qeverinë serbe për çrrënjosjen e korrupsionit.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për gjendjen humanitare dhe politike në Serbi, përfshirë impaktin e mundshëm që mund të ketë një gjendje e tillë në Ballkanin Perëndimor dhe në Europë. Ne inkurajojmë administratën tuaj të përfshihet me presidentin Aleksandar Vuçiç në luftën kundër korrupsionit, dhe të ndalë sulmet ndaj medias së lirë. Të dyja çështjet janë kritike për prosperitetin dhe demokracinë në Serbi, gjithashtu për aspiratën e hyrjes së Serbisë në Bashkimin Europian”.
Kongresmenët i kërkuan Kreut të Shtëpisë së Bardhë që të konsiderojë përdorimin e Urdhrit Ekzekutiv 14033, që konsiston në “bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të disa personave që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
“Ne ju nxisim të konsideroni përdorimin e Urdhrit Ekzekutiv 14033, për të bllokuar pronat dhe për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të njerëzve që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor. Gjëja e duhur do të ishte shtimi kërkesës për më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga qeveria e Serbisë në respektimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor”.
Në letrën e kongresmenëve evidentohen gjithashtu raportet ku tregohet se Presidenti Vucic e ka thelluar korrupsionin në Serbi, duke e përdorur krizën e pandemisë si justifikim për shpenzime mjetesh dhe pajisjesh intubimi nëpërmjet një prokurimi gjysmë-legal. Duke qenë se pranverën e ardhshme në Serbi pritet të mbahen zgjedhjet Presidenciale dhe parlamentare, Kongresmenët i kërkuan administratës Biden që ta bëjë përgjegjëse qeverinë e Serbisë për të realizuar një proces zgjedhor me standarDe maksimale.
/ Abcnews.al