Çdo pyll ka derrat dhe kokëboshët e vet, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama nga Beogradi ku gazetarët e pyetën nëse presidenti serb Aleksander Vuçiç i kërkoi falje për heqjen e disa flamujve shqiptarë nga një bulevard në Beograd.
Megjithatë, sipas kreut të qeverisë, vetë fakti që në Beograd valëviteshin flamujt shqiptarë është diçka e pamendueshme disa vite më parë. Rama solli në vëmendje se situata mes shqiptarëve dhe serbëve është larg së qenit ideale, por vuri theksin tek përmirësimet pozitive që sipas tij kanë sjellë së fundmi politikat e jashtme të ndjekura në Ballkan.
“Jam i bindur që të gjitha gjërat që ndodhin janë të paevitueshme, sepse situata është larg së qeni ideale mes shqiptarëve dhe serbëve për shkak të situatës me Kosovën…Edhe tensione më të larta të ngrihen, sot bien shumë më shpejt nga çdo të ndodhte më parë. Nuk duhet ta humbasim fokusin. Duhet të vendosen në një nivel tjetër marrëdhëniet në rajon…”
Po ashtu, duke folur për marrëdhënien e Kosovës me iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, Rama tha se kjo nismë në fakt mund ta fuqizojë procesin e bërjes së paqes.
“Konflikti për njohjen, ky proces nuk interferon me dialogun mes dy vendeve, por e lehtëson në këndvështrimin tim. Bën atë që ka bërë një proces shumë i ngjashëm pas Luftës së Dytë Botërore mes Gjermanisë dhe Francës. Jam dakord që Serbia duhet të kërkojë falje. Ky është kapaku që i duhet vënë një dialogu që duhet të zgjidhë të gjitha çështjet. Aty ku dalloj unë është që unë them që falja vjen në fund. Paqja kërkon ushqim. Refuzimi për ta parë Ballkanin e Hapur është falimentim i sigurt i çdo rruge kokëfortësie në kushtet kur s’jemi në luftë. Kemi një konflikt të trashëguar që duhet ta zgjidhim.” /abcnews.al/