Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në miqësoren ndaj kryesueses së Superligës së Turqisë. Ai ishte optimist për realizimin e objektivave të sezonit.
Vetja tregohet përballë të fortëve. Edhe pse vetëm një miqësore janari, sërish për Kukësin ishte shumë domethënëse përballja në Antalia, me Istanbul Bashaksehirsporin, kryesuesin e Superligës turke.
Një humbje, dakord, por minimale 1-2, duke shënuar gol, e duke treguar nivel të kënaqshëm në lojë, në çdo aspekt të futbollit.
Trajneri Armando Cungu duket qartë se ka përçuar tek lojtarët mentalitetin për të qenë të barabartë ndaj çdo kundërshtari.
Për më tepër, me përforcimet e fundit, tekniku shkodran ka mundësinë të hedhë në fushë formacione të ndryshme, dhe të lerë në stol edhe lojtarë shumë të mirë.
Blerja e re, Shkurtaj, e nisi nga stoli, ashtu siç ishin zëvendësues lojtarë të rëndësishëm si Çyrbja apo Shafik.
Trajneri Cungu: “Jam i kënaqur me prezencën dhe më lojën që zhvilluan djemtë. Duke pasur parasysh historinë e Istanbul Bashaksehirsporin, është një ekip i vendit të parë në Superligës turke, me diferencë dhe me shumë yje jo vetëm kombëtar por mbarëbotërorë. Në këto kushte nuk ishte e lehtë të luaje kundër këtij kundërshtari, por gjithsesi luajtëm me shumë dinjitet. Ishte një lojë shumë e kënaqshme për mendimin tim dhe do vazhdojmë të luajmë sepse kemi akoma gjëra për të përmirësuar”.
Trajneri bëri shumë zëvendësime gjatë përgatitores, dhe shpjegoi qëllimin e tij.
Armando Cungu: “Natyrshëm një kontigjent i cili duhet t’i japi mundësinë për të zbrit në fushë çdo sportisti, për të parë më të mirën dhe për të vëzhguar lojtarët të cilët kanë formën më të mirë sportive për të qentë prezant dhe për të kontribuar për ekipin. Gjithsesi, me thënë të drejtën në përgjithësi jam i kënaqur nga të gjithë, si në pjesën e parë ashtu edhe në pjesën e dytë. Kjo gjë më gëzon, më kënaq dhe më jap premisa dhe shpresa për të qenë të suksesshëm edhe në startin e kampionatit”.
Arbër Çyrbja, autori i golit, ishte gjithashtu i kënaqur, sidomos pasi i shënoi portierit të Turqisë.
Futbollisti Çyrbja: “Është kënaqësi i bësh gol portierit të Kombëtares turke si dhe ekipit kundër të cilit luajtëm. Ishte shumë e vështirë sepse ata kanë një ekip shumë shumë të fortë dhe kanë lojtarë të cilët ne i kemi parë vetëm në televizion. Ishte një ndeshje shumë e fortë, por duhet të themi se rezultati ishte i mirë”.
Kukësi vazhdon përgatitjet në Antalia, dhe këtë të premte pritet të ndeshet në miqësore edhe me Rostovin e Rusisë./abcnews.al/