Pasi sot regjistroi një rekord rastesh të reja infeksioni, Greqia ka vendosur të shtrëngojë masat anti-COVID.
Më shumë nga masat preken të pavaksinuarit. Sipas vendimit të ministrisë së Shëndetësisë të gjithë punonjësve të pavaksinuar, në sektorin publik apo atë privat, do t’u kërkohet të bëjnë dy teste në javë, të shpejta ose PCR.
Po ashtu, për hyrjen në banka, ambiente argëtimi, hotele, dyqane, parukeri, pra aktivitetet që nuk konsiderohen të domosdoshme, do të jetë e detyrueshme paraqitja e testit të shpejtë ose PCR për të provuar se nuk je i infektuar.
Gjobat për bizneset që nuk respektojnë do të dyfishohen, duke filluar nga 5,000 euro (5,791 dollarë).
“Kufizimet do të zbatohen për personat e pavaksinuar, sepse ata janë shumë më të rrezikuar se të vaksinuarit”, tha ministri i Shëndetësisë Athanasios Plevris të martën në një deklaratë televizive.
Ministri grek i Shëndetësisë ka bërë me dije po ashtu se me datë 5 nëntor do të fillojë edhe aplikimi i dozave të treta për ë gjithë qytetarët mbi 18 vjeç.
Greqia raportoi 6,700 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit duke thyer rekordin për të tretën ditë radhazi. Po rriten edhe shtrimet në spital.