Disa nga qarqet më të mëdha të vendit po përballen me vështirësi nga reshjet e borës e temperaturat e ulëta. Ministrja e Mbrojtjes ka paralajmëruar penalizim për firmat e mirëmbajtjes së rrugëve nëse nuk mbajnë rrugët e hapura dhe ka ftuar qytetarët të jenë të kujdeshëm.
Nisur nga situata me motin e keq pas dëborës që ka përfshirë të gjithë vendin, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të evitojnë daljet e panevojshme nga shtëpitë gjatë 48 orëve të ardhshme.
“Siguria juaj është misioni ynë parësor. Ndaj do të kërkonim të evitonit daljet e panevojshme nga shtëpitë. Për të gjithë ju, që keni nevojë për asistencë, duhet t’i drejtoheni ambienteve të përshtatshme të ngritura nga pushtetit vendor në raste emergjencash”, u shpreh ministrja.
Gjatë koferencës për shtyp ministrja theksoi se akset kombëtare janë të qarkullueshme me përjashtim të aksit Tepelenë–Gjirokastër, ndërsa problemet janë evidentet në akset rurale.
“Sa i takon akseve rurale, të bllokuara janë akset në zonat e thella malore, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Dibër dhe Elbasan. Mbi dy mijë efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, punonjës të OSSHE dhe të shëndetësisë janë në gatishmëri të plotë për t’iu gjendur pranë banorëve, për çdo problem të vërejtur”, tha ajo.
Ministrja Xhaçka kishte një paralajmërim për të gjitha firmat kontraktore të cilët janë përgjegjëse për zhbllokimin e akseve rrugore dhe mirëmbajtjen e tyre.
“Që të minimizojmë pasojat e motit të keq, i bëj thirrje firmave kontraktore, në të gjitha bashkitë, që të respektojnë kontratat për mirëmbajtje e zhbllokimin e akseve rrugore në rast të bllokimit të tyre. U bëj me dije të gjitha atyre kompanive, që nuk respektojnë kontratat për mirëmbajtjen e rrugëve se për çdo rast po monitorohen e do të penalizohen sipas ligjit”, theksoi Xhaçka.
Në të gjitha qarqet e prekura nga dëbora, janë aktivizuar mbi njëqind mjete, që po punojnë për hapjen e akseve me probleme./abcnews.al