Arrestohet gjyqtari dhe psikologia e Gjykatës së Fierit, të përfshirë në skandalin seksual e korruptiv të publikuar në emisionin “Stop”. Gjyqtari i Fierit, Roland Hysi shfaqej teksa i kërkonte një nëne të divorcuar rryshfet e marrëdhënie seksuale në këmbim të dhënies së kujdestarisë së fëmijës. Bashkë me gjyqtarin në pranga u vu dhe psikologia Elona Meçani, e cila luante rolin e sekseres.
Policia ka arrestuar gjyqtarin e Shkallës së Parë në Fier, Roland Hysi, i cili u denoncua në emisionin “Stop” në TV Klan, pasi kërkonte favore seksuale dhe ryshfete. Sipas uniformave blu, ai akuzohet për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike’. Po ashtu mbi gjyqtarin rëndon akuza ‘Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të drejtësisë’. Hysi u filmua nga kamera e fshehtë e emisionit investigativ “Stop” duke i kërkuar para dhe favore seksuale një nëne që luftonte për kujdestarinë e fëmijës së saj.
Të njëjtin fat kishte edhe psikologia e Gjykatës së Fierit, Elona Meçani, e cila bënte edhe rolin e sekseres që gjithashtu merr “pjesën e vet” prej 500 eurosh. Të dy të prangosurit ndodhen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në pritje për t’u njohur me masën e sigurisë që do të jepet nga Krimet e Rënda.
Ndërkohë pak orë pas trasmetimit të videos, Krimet e Rënda regjistruan kryesisht një procedim për veprat penale. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi të mërkurën edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Duke shprehur shqetësim dhe indinjatë për implikimin e mundshëm të gjyqtarit në afera korruptive, KLGJ nxiti shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të ngjarjes nga strukturat përkatës.
Rasti i gjyqtarit të Fierit u denoncua në programin “Stop” mbrëmjen e së martës. Ai u denoncua nga një nënë, palë në një proces gjyqësor për kujdestarinë e fëmijës së saj. Sipas denoncueses, e cila pranoi të regjistronte bisedën me gjyqtarin, Hysi i kërkoi para dhe raport seksual në këmbim të vendimit gjyqësor. /abcnews.al