Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri në një dalje për mediat ka treguar sesi e sheh mazhoranca propozimin e PD për të bashkuar iniciativën e vettingut të politikanëve me atë të gjyqësorit.
Duke iu përgjigjur pyetjes së shtruar nga gazetarja e ABC Esiona Konomi, Gjiknuri tha se për mendimin e tij çështjet nuk duhet të përzihen.
“Vettingu në gjyqësor është një marrëveshje e arritur kohë më parë, tashmë është një normë kushtetuese dhe ka dalë si nevojë e skadimit të një afati që kemi rënë të gjitha palët dakord…Për sa i përket çështjeve të tjera që kanë dalë rishtazi për nevoja politike që unë e kuptoj shumë mirë opozitën edhe për arsyet që ajo i ka sjellë, mendoj që ne duhet të shikojmë kuadrin aktual ligjor. Unë nuk jam kundër që të diskutohet, por a është kjo e nevojshme në nivel kushtetues?”
Numri dy i Partisë Socialiste solli në vëmendje se Shqipëria ka mjaftueshëm ligje që bëjnë të mundur kontrollin e figurës së politikanit.
“Kemi një ligj për deklarimin e pasurive, kemi ligj të anti-mafias dhe pastrimit të parave dhe kemi ligjin për dekriminalizmit…”
Megjithatë, Damian Gjiknuri nuk e hodhi poshtë mundësinë e diskutimit për gjëra që janë të mundshme.
“Të përziesh gjyqësorin në procese administrative do të thotë të bësh një eksperiment që asnjë shtet nuk ka guxuar ta bëjë.”
Por çfarë do të ndodhë nëse votimi dështon dhe nuk arrihen votat që duhen për të zgjatur mandatin e organeve të vettingut?
“Do t’i bëhet një dëm procesit por, Kushtetuta ka parashikuar edhe zgjidhjen. Kjo s’do të thotë që ne nuk mund të bëjmë kompromis, por pa vënë në rrezik arritjet.”
Kurse, i pyetur për statusin e punimeve për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri i cili do të jetë edhe bashkëkryetar tha se po pret që të vijë opozita në mënyrë që të nisë puna. /abcnews.al/

