Pirro Misha: Protesta e studentëve pati efekt mbi shoqërinë

schedule21:18 - 8 Janar, 2019

schedule 21:18 - 8 Janar, 2019

Protesta e studentëve ka pasur një impakt për shoqërinë. Është ky mendimi i studiuesit Pirro Misha. Në emisioni “Provokacija”, ai tha se tashmë kjo protestë mund të jetë një lloj katalizatori për shoqërinë.

“Unë kam parë tituj ditët e fundit, “Dështimi i protestës”, “Vdekja e protestës” nuk e kuptoj mirë çdo të thotë. Një protestë ka një fazë nisjeje dhe ka një fazë shuarjeje. Ajo ka qenë një protestë e një mase të madhe, jo homogjenë dhe shpesh është një kakofoni zërash dhe unë mendoj që kjo protestë në asnjë mënyrë nuk mund quhet e dështuar sepse protesta gjykohet nga efekti i saj. Efekti që ajo dha padyshim që tani ka një moment të rëndësishëm për t’u gjykuar edhe në një vështrim kritik. Ajo protestë pati një impakt për shoqërinë, bile unë mendoj që mund të ketë edhe një lloj katalizatori. Është një gjë e mirë”, u shpreh Misha.

Megjithatë për Mishën është i papranueshëm fakti që studentët nuk kanë lejuar të përfaqësohen nga një grup. Sipas tij vlera e një lëvizjeje si kjo e studentëve është zgjedhja e një udhëheqësi që përfaqëson interesat e tyre.

“Kjo më duket e papranueshme sepse ke të bësh me një masë të përçuar nga një paranojë. Unë shoh ditë për ditë figura që dalin flasin në emër të studentëve. Dje pashë të njëjtin student në dy-tre studio që fliste mjaft mirë, por pyetja është çfarë përfaqëson? Është e rrezikshme kur mbetet një turmë amorfe dhe lehtësish e manipulueshme kur nuk ka përfaqësim. Lëvizjet studentore dhe arritjet e tyre janë zgjedhja e një udhëheqësi dhe përfaqësojnë interesat e tyre. Tsipras ka dalë nga një lëvizje studentore, Albin Kurti në Kosovë”, tha studiuesi.

“Ka pasur tentativa me çdo kusht ta paralelizojnë me lëvizjen e Jelekëve të Verdhë. Ajo është një lëvizje horizontale pa lidership, por janë qesharake. Janë kontekste të ndryshme. Kurse me Lëvizjen e Dhjetorit është naive ta krahasosh. Është një lëvizje me kontekst tjetër”, u shpreh më tej Misha, në lidhje me krahasimin që i është bërë protestës së studentëve./abcnews.al