Çështja e detit, Milo: Zgjidhja nëpërmjet gjykatës ndërkombëtare, më e mira e mundshme

schedule22:26 - 28 Tetor, 2021

schedule 22:26 - 28 Tetor, 2021

Në “Log” me Endri Xhafon në ABC diskutohet sonte rreth marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe grekëve.

Duke prezantuar një sondazh të kryer nga ELIAMEP (Fondacioni Helenik për Evropën dhe Politikave të Jashtme) në bashkëpunim me Open Society Foundation for Albania, profesori Ioannis Armakolas deklaroi se në krahasim me vite më parë, situata është përmirësuar dhe është optimiste.

Ndërsa, sa i përket çështjes së detit, Paskal Milo u shpreh se në rast se të dyja qeveritë kanë vullnet për ta çuar në një gjykata ndërkombëtare, do të ishte një zgjidhje më e mirë për shqiptarët.

Megjithatë, ai theksoi se nuk duhet që ngutja të bëhet shkak për gafa. Kurse reagimet që vijnë nga shoqëria civile greke apo njerëz të kulturës, Milo i vlerësoi si pozitive pasi kjo bën që çështja të mos mbetet si monopol i politikës.

“Në rast se të dy qeveritë kanë vullnet për ta çuar në gjykatë çështjen e detit, do të ishte një zgjidhje më e mirë për shqiptarët. Nuk duhet që ngutja të bëhet shkak për gafa. Duke u ngutur lë pa trajtuar gjëra që janë të rëndësishme. Reagimet që vijnë nga shoqëria civile greke, është një gjë pozitive, që nuk lihet çështja e raportit mes shqiptarëve dhe grekëve, vetëm si monopol të politikës. Hyrja e njerëzve të kulturës, kontribuon tek politika.”

Zgjidhja e çështjes nëpërmjet gjykatës cilësohet më e mira e mundshme edhe nga pedagogu Hektor Ruci.

“Është një zgjidhje që i jep kredibilitet cilësdo qeveri që merr një hap të tillë. Duhet që qeveritë të jeë shumë të kujdesshme, në procedura.”

Ndërsa, për marrëdhëniet Greqi-Kosovë, Mentor Nazarko u shpreh se helenët e bënë hapin e tyre në tentativën për të “shkëmbyer” gazsjellësin me njohjen.

Megjithatë, refuzimi i Kurtit sipas tij e shtyu mundësinë e njohjes nga ana e Greqisë.

“Duke refuzuar, Kurti e shtyu këtë mundësi të njohjes së Greqisë. Greqia nuk e njohu në fillim, tani është brenda të drejtës së vet që të kërkojë pazar. Afrimi i Greqisë me Kosovën vjen ë një kohë kur Serbia afrohet me Turqinë.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!