Rusia ka regjistruar rekord rastesh dhe viktimash për shkak të Covid-19, ndërkohë që sot pritet të hyjnë në fuqi masat e reja për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Sipas një raporti të publikuar sot nga qeveria ruse, 1,159 persona kanë humbur jetën dhe 40,096 persona janë infektuar në 24 orët e fundit.
Autoritetet në kryeqytetin rus kanë deklaruar se restorantet, sallonet, dyqanet e veshjeve ose mobiljeve, objektet sportive, kurset e kërcimit dhe shërbime të tjera që konsiderohen “të panevojshme” do të mbyllen deri më 7 nëntor.
Vetëm farmacitë, supermarketet do të qëndrojnë të hapura në Moskë, sipas Sergei Sobyanin, kryebashkiaku i Moskës, i cili është deri tani qyteti më i prekur në vend. Shumica e bizneseve dhe shërbimeve publike në kryeqytetin rus do të mbyllen gjithashtu gjatë kësaj periudhe.
Autoritetet ia atribuojnë rritjen e numrit të rasteve dhe viktimave fushatës së ngadaltë të vaksinimit.
Deri më tani, 49.1 milionë persona janë vaksinuar plotësisht./abcnews.al