Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian ka dënuar Poloninë duke i kërkuar që t’i paguajë Komisionit Europian një penalitet ditor prej një milion euro, shkruan Reuters.
Kjo për shkak se vendi nuk ka pezulluar aplikimin e dispozitave kombëtare që kanë të bëjnë me kompetencat e Dhomës Disiplinore dhe Gjykatës së Lartë. Gjykatësit theksuan domosdoshmërinë për mbrojtjen e vlerave, mbi të cilat është themeluar Bashkimi Europian, në mënyrë të veçantë Shteti i së Drejtës.
Komisioni Europian kishte kërkuar sanksione një muaj më parë, pasi Polonia injoroi në muajin korrik, kërkesat e gjykatës për të pezulluar menjëherë sistemin e saj të disiplinës gjyqësore. Belgjika paralajmëroi Poloninë që të mos trajtojë Bashkimin Europian si një bankomat, duke injoruar sipas dëshirës principet demokratike dhe Shtetin e së Drejtës.
Kryeministri belg u shpreh se një vend nuk mund të marrë paratë dhe të refuzojë vlerat, duke iu drejtuar homologut të tij polak Moravieski. Ky i fundit akuzoi Bashkimin Europian se po kërcënonte me luftën e tretë botërore.
Kreu i ekzekutivit belg akuzoi Poloninë se po luante me zjarrin në momentin që ka vendosur të luftojë me kolegët europian për arsye të politikës së brendshme.
/abcnews.al