Temperaturat -13 gradë në vend, fshatrat malorë të izoluar prej ditësh

schedule13:32 - 5 Janar, 2019

schedule 13:32 - 5 Janar, 2019

Moti i keq mbizotëron në të gjithë vendin. Në Korçë dhe Diber janë shënuar temperaturat më të ulëta -13 gradë. Në akset nacionale këshillohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të akullit dhe ngricave. Të bllokuara mbeten prej ditësh disa fshatra malorë në Korçë, Gjirokastër, Dibër dhe Kukës.

Jugu i vendit paraqet një situatë më të rënduar nga moti i keq. Temperaturat janë ulur ndjeshëm duke arritur në disa zona të Juglindjes deri në -13 gradë.

Rrugët nacionale të Qarkut të Korçës janë të hapura, por nga policia këshillohet të tregohet kujdes për shkak të pranisë së shtresave të akullit.

Me zinxhirë lëvizet drejt destinancioneve turistike siç janë Dardha dhe Voskopoja. Prej disa ditësh janë të izoluara disa fshatra në zonën e Mokrës në Pogradec, në bashkinë e Korçës, Kolonjës, Maliqit dhe Devollit.

Edhe në Tepelene reshjet e dëborës kanë izoluar zonën e Kurveleshit dhe fshatin Golem. Në Frashër të Përmetit dhe në bashkinë e Këlcyrës rrugët që lidhin fshatrat me qytetet qarkullohen vetëm me zinxhirë.

Ngrica ka edhe në qafën e Llogarasë ndaj të gjithë mjetet duhet të jenë të pajisura me zinxhirë. Katër borëpastruese dhe dy kamionë të rëndë janë angazhuar për hedhjen e kripës.

Në veri dhe verilindje ka një përmiresim të situatës. Në rrugën e Kombit lëvizet pa zinxhirë. Bashkia ka ndërhyrë në rrugët Kukës Shishtavec dhe fshatrat e njësisë administrative në Zapod. Temperaturat kanë shënuar deri në minus 5 gradë. Të bllokuara mbeten Arrni e Grykëcaja.

Në qarkun e Dibrës gjatë orëve të fundit kanë munguar reshjet e dëborës, por temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme.

Në njësitë administrative Lurë, fshatrat e Selishtës, Slloves, Ostrenit, Krastës dhe Xibrit mund të qarkullohet vetëm me makina të larta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!