Sondazhi: Ndryshimet klimatike, shqetësuese për shumicën e amerikanëve

schedule21:12 - 26 Tetor, 2021

schedule 21:12 - 26 Tetor, 2021

Rreth 6 në 10 amerikanë besojnë se ritmi i nbrohjes globale po përshpejtohet.

Në përgjithësi, 59 për qind e amerikanëve janë shprehur se ngrohja e Tokës është një çështje shumë, ose jashtëzakonisht e rëndësishme, për dallim nga 49 për qind më 2018.

“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme për shkak të vajzës sime dhe realitetit me të cilin mund të përballet ajo, kur të arrijë moshën time apo edhe më të vjetër”, thotë Krystal Chivington, një republikane 46 vjeçare nga Delauer.

Në lindje të shtetit Tenësi, turistët që ndjekin pesiazhet e vjeshtës po paralajmërohen se tani duhet më shumë kohë për ndryshimin e ngjyrës tek gjethet. Nuk ka dëshmi se kjo është pasojë e ndryshimeve klimatike, por është një ndryshim, që amerikanët po e vërejnë, ndërsa ngrohja përhapet në Tokë.

“Tani kemi rrëshqitje dheu aty ku nuk kemi pasur. Pemët po vdesin sepse kemi shumë vizita. Këtu vijnë mbi një milion vizitorë çdo vit dhe secila makinë shkakton pak më shumë ndotje”, thotë Jeremy Wilson, një 42 vjeçar i pavarur që merret me turizëm malor.

Sondazhi i ri tregon se 55 për qind e amerikanëve duan që Kongresi të miratojë një projektligj që siguron më shumë energji elektrike nga energjia e pastër dhe redukton atë të prodhuar nga qymyri dhe gazi natyror që dëmton klimën.

Një matje e ngjashme luajti rol të rëndësishëm në legjislacionin për klimën të Presidentit Biden të prezantuar në Kongres. Por propozimi i tij për të shpërblyer ndërmarrjet me burime të pastra energjie dhe ndëshkimin e të tjerave, hasi në kundërshtimin e senatorit nga shteti i njohur për minierat e qymyrit, Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore, duke i detyruar demokratët të gjejnë mënyra të tjera për të ulur ndotjen nga djegia e karburanteve fosile.

Për disa qytetarë, kjo është një vonesë irrituese në trajtimin e një problemi urgjent.

“Nuk e kuptoj se si mund të mos ndjekësh shkencën, thatësirën, zjarret, tornadot, tërmetet. Bota po ndryshon”, thotë Nany Reilly, një pensioniste demokrate nga Mizuri.

Mark Sembach, një demokrat 59 vjeçar nga Montana, ka instaluar 14 panele solare në çatinë e shtëpisë, si një mënyrë për të dhënë kontributin e tij në luftën kundër ndryshiemve klimatike.

“Korporatat duhet të jenë më të përgjegjshme, por kjo nuk është në natyrën e tyre. Është në dorën tonë që si popull amerikan t’i shtyjmë korporatat në marrjen e vendimeve të duhura, ose t’i detyrojmë përmes ligjeve”, tha zoti Sembach.

Ai shpreson që më shumë amerikanë të fillojnë shfrytëzimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme dhe të shmangin opsionet që prodhojnë karbon dhe shkaktojnë ngrohjen e planetit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!