Merkatoja e klubeve shqiptare

schedule17:52 - 4 Janar, 2019

schedule 17:52 - 4 Janar, 2019

Kukësi është skuadra më aktive në merkato. Verilindorët kanë transferuar dy futbollistë nga Luftëtari ndërkohë që tek Skënderbeu nuk ka ndryshime.

Merkatoja dimërore ka shërbyer si një asist për klubet shqiptare për të larguar futbollistët nga skuadra ndërkohë që të paktë kanë qenë afrimet. Kukësi është klubi më aktiv pasi ka zyrtarizuar afrimin e dy futbollistëve. Mesfushori Eduart Rroca dhe sulmuesi Vasil Shkurtaj u janë bashkuar verilindorëve nga skuadra e Luftëtarit.

Dy blerje tepër cilësore për të besuarit e trajnerit Armando Cungu. Blerja e dy futbolllistëve kap shifrën e 120 mijë euro. Ndërkohë që të larguarit nga skuadra e Kukësit janë plot 4 futbollistë. Dino Spehar, Vangjel Zguro, Omar Ture dhe Haris Harba.  Aktualisht Kukësi do të vijojë minifazën përgatitore në Turqi ku ka mbërritur ditën e sotme si dhe do të zhvillojë edhe dy teste miqësore për të matur forcat e grupit.

Edhe skuadra e Partizanit nuk ka qenë shume aktive në merkaton hyrëse pasi kanë mbyllur marrëveshjen vetëm me mesfushorin Fajton Jusufi. Ndërkohë që janë larguar tre futbollistë, Uakili, Gojkoviç dhe Statovci. Të kuqtë do të nisen këtë të shtunë drejt Turqisë për të kryer fazën përgatitore në prag të fillimit të fazës së tretë në kampionat.

Situatë kaotike te skuadra e Skënderbeut. Korçarët nuk kanë zyrtarizuar asnjë lojtar në këtë afat kalimtar transferimesh, por as nuk kanë larguar ndonjë futbollist. Si të mos mjaftonte kjo, klubi juglindor do të zhvillojë fazën përgatitore në Shqipëri dhe jo në Turqi siç ka ndodhur në vitet e fundit. Një tregues i qartë për mungesën e financave nga skuadra korçare. Skuadra e Teutës shpreson tek titulli kampion dhe për të shtuar akoma më tepër shpresat, drejtuesit e klubit kërkojnë të marrin maksimumin nga merkatoja. Aktualisht është zyrtariuar Erlis Frashëri dhe është shumë prane firmës edhe Renato Arapi ndërkohë që janë larguar Bojan Gjeorgjevski dhe Ersid Kruja.

Klubi më i titulluar në Shqipëri, Tirana nuk ka zyrtarizuar ende asnjë futbollist ndërsa i kanë treguar derën portierit Shpetim Moçka. Prane largimit është edhe Sedat Berisha. Gjithsesi në shtëpinë bardheblu priten disa afrime për ta nxjerrë skuadrën nga kriza e rezultateve. Laçi është treguar aktiv në merkaton dalëse pasi ka larguar plot 3 futbollistë. Xhevahir Sukaj, Andi Hodraj dhe Altiparmakovski. Ndërkohë që ka afruar vetëm mbrojtësin e talentuar Irlian Ceka.

Flamurtari i trajnerit Ilir Daja ashtu si pjesa më e madhe e skuadrave shqiptare nuk ka zyrtarizuar ende afrimin e parë në skuadër. Ndërkohë që ka larguar Kristian Sigrihin. Mësohet se Bushiç ka paralajmëruar skuadrën për financat. Kuqezinjtë do të nisen drejt Turqisë për minifazën përgatitore në datën 6 Janar. Nga Luftëtari i Gjirokastrës janë larguar 3 futbollistë, Eduard Rroca, Vasil Shkurtaj dhe Lejdi Liçaj ndërkohë që është afruar vetëm Erjon Vucaj. Sa i perket Kamzës është afruar në huazim David Izazola ndërkohë që është larguar Erlis Frashëri.

Ndryshime drastike tek skuadra e vendit të fundit në kategorinë superiore, Kastrioti. Krutanët nuk kanë afruar asnjë futbollist ndërkohë që kanë larguar plot 11 të tillë. Bëhet fjalë për Galego, Aleksandros, Preston, Duval, Adolf, Kuka, Mziu, Lila, Çutra, Atsina dhe Domgjoni. Është e habitshme sesi klubi ka larguar  gjysmën e skuadrës pa afruar më parë asnjë futbollist./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!