Çdo ditë në pikën kufitare të Morinës udhëtarët përballen me fluks automjetesh. Marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive për bashkimin doganor ende nuk janë zbatuar. Qytetarët ankohen se kontrollohen njëkohësisht nga policia shqiptare dhe nga policia e Kosovës.
Unifikimi doganor në Morinë nuk po funksionon. Të gjitha marrëveshjet ekzistojnë vetëm në letër. Qytetarët kontrollohen edhe nga Policia Kufitare e Shqipërisëe dhe nga Policia e Kosovës. Situatën udhëtarët e konsiderojnë të papranueshme.
“Unë po pres sepse jam një qytetar që kaloj sepse punoj në Kosovë, por nuk e di se pse doganat janë bashku, por unë e di që edhe Shqipëri e Kosova kanë dogana. Na kontrollojnë në të dyja anët”.
“Zoti e di. Ai thotë s’ka kufinj, këtu ka duplla kufinj”.
“Sikur me qenë në doganë serbe”.
Me radhët kilometrike janë mësuar, madje nuk prisnin ndryshime as për Vitin e Ri. Tetë sportele janë në punë, por vargu i automjeteve ka shkuar deri në thellësi të territorit të Shqipërisë. E njëjta situatë përjetohet këtu çdo ditë. Në të dy anët e kufirit ka rritje të numrit të lëvizjeve. Disa qytete të Kosovës tashmë shihen si mundësi për kryerjen e shumë shërbimeve dhe nevojave ditore nga banorët e Kukësit./abcnews.al