Kërkimet nën rrënojat e godinës së shembur dy ditë më parë në jug-lindje të Rusisë e kanë çuar në 18 numrin e viktimave. Godina u shemb pjesërisht ditën e hënë, si pasojë e një shpërthimi të shkaktuar nga një rrjedhje gazi dhe 23 persona të tjerë konsiderohen ende të humbur.
Shpërthimi dëmtoi 48 apartamente të godinës 10-katëshe në qytetin industrial Magnitogorsk, rreth 1 mijë e 700 kilometra në lindje të Moskës. Ndërkohë, një fëmijë 10-muajsh që u gjet i gjallë nën rrënoja pas 35 orë të kaluara në të ftohtë u transferua me helikopter në një spital të kryeqytetit rus.
Autoritetet ruse po vijojnë hetimet mbi ngjarjen, pasi dyshojnë se shpërthimi që shembi ndërtesën mund të ketë qenë i qëllimshëm. Ndërkohë, në orët e vona të së martës, 3 persona humbën jetën në të njëjtën rrugë ku ndodhet pallati i shembur, pasi një furgon u përfshi nga flakët./abcnews.al