Mbyllet “Las Vegasi” në qendër të Lezhës

schedule15:36 - 2 Janar, 2019

schedule 15:36 - 2 Janar, 2019

Pikat e basteve dhe llotot janë mbyllur në Lezhë. Që pas 31 Dhjetorit është çliruar dhe rruga “Hydajet Lezha” e cila njihej si një “Las Vegas” i vogël në këtë qytet. Edhe në qytetin e Vlorës ka ndodhur e njëjta gjë ndonëse pronarët e tyre kanë shfrytëzuar edhe minutat e fundit në ndërrimin e viteve

Njihej si një “Las Vegas” i vogël në qendër të qytetit të Lezhës. Të gjitha kompanitë e basteve kishin një pikë të tyren në këtë rrugicë të vogël. Pas 31 Dhjetorit nuk ekzistojnë më.

“Kjo rrugicë, prej vetëm 200 metrash në qytetin e Lezhës kishte të vendosur 18 pika bastesh dhe lojëra fati ndaj edhe shumë qytetarë e njhinin edhe si “rruga e llotove”, por që pas 1 Janarit gjithçka ka ndryshuar duke e kthyer në një vend të qetë dhe aspak të zhurmshëm siç ishte para datës 31 Dhjetor”, raportoi nga Lezha gazetari Gjergj Figuri.

Qepena të ulur, njoftime për dhënie me qira dhe një qetësi. Ndryshe është gjithçka që shikon në këtë rrugicë sot. Lezhjanët e kanë njohur me emrin “rruga e llotove”. Askush nuk e ka vënë re tabelën që kishte emërtimin e saj. Aty gjendej çdo pikë basti dhe lojëra fati. Qytetarët janë të bindur se ky emërtim do të ndryshojë tani.

“Rrugë fati do u thonë tani ata njerëz që kanë pasur njerëzit e tyre që luanin lloto dhe tani nuk luajnë më dhe i çojnë ato pare te shtëpia”, tha një banor.

“Kjo rrugë mësa di unë ka qenë quajtur “rruga e llotove” pasi këtu mbrapa shpinës time, po thuajse të dy anët e rrugës kanë qenë plot me lloto”, u shpreh një i ri.

Edhe në qytetin e Vlorës të gjitha pikat e basteve janë mbyllur. Qepenat janë ulur ose është ndërruar shërbim.

“Në shumë pak prej tyre kanë mbetur ende tabela që të kujtojnë se kanë funksionuar si pika bastesh ndërsa në pjesën më të madhe pronarët e tyre kanë larguar edhe tabelat duke bërë që ato të funksionojnë tashmë si bar-kafe”, shprehet gazetari Elton Nika.

Ajo që është për t’u thënë ka të bëjë me faktin se pothuajse në të gjithë vendin këto pika kanë qëndruar hapur deri në momentin e fundit. Pronarët kanë shfrytëzuar çdo mundësi për të përfituar prej tyre, pavarësisht faktit që paralajmërimi ishte bërë më parë dhe paligjshmëria e tyre niste në ndërrimin e viteve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!