Arratisen nga burgu në Greqi dy shqiptarë

schedule10:44 - 2 Janar, 2019

schedule 10:44 - 2 Janar, 2019

Dy shqiptarë të dënuar për vjedhje e grabitje kanë mundur të arratisen nga burgu në Athinë të Greqisë. Ata kanë sharruar hekurat e qelisë e më pas kanë kaluar murin rrethues.

Dy shtetas shqiptarë janë arratisur nga burgu i Koridalosit në Athinë. Sipas medias greke, është fjala për Elvis K. dhe Leonard P., që vuanin dënime për vjedhje e grabitje personash të moshuar. Ata kanë mundur të presin hekurat e qelisë mbrëmjen e të martës dhe të dalin në “zonën e vdekur”. Prej andej, hipën në murin rrethues dhe u zhdukën.

Mungesa e tyre u konstatua gjatë kryerjes së apelit, paraditen e të mërkurës. Policia ka nisur një operacion të madh për gjetjen dhe kapjen e tyre. Ministria e Drejtësisë urdhëroi kryerjen e një hetimi administrativ mbi rrethanat e arratisjes së dy të burgosurve. Sipas të dhënave të para, të martën, në dy karakollet para të cilave kaluan, nuk kishte roje.

Para dy javësh, një tjetër shqiptar ishte arratisur me të njëjtën mënyrë, nga qelitë e drejtorisë policore të Atikës perëndimore. Por ai u kap pas katër ditësh, kur forcat speciale ndërhynë në banesën e miqve të tij, ku ai kishte gjetur strehë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!