Matjet sipas metodës së Eurostat: Inflacioni në shtator u rrit me 2.6%, kryesisht nga ushqimet

schedule07:31 - 22 Tetor, 2021

schedule 07:31 - 22 Tetor, 2021

Matjet nga metodologjia e Eurostat tregojnë se në muajin shtator, inflacioni u rrit me 2.6 për qind nga 2.5 për qind që ishin rezultatet nga matjet me metodologjinë kombëtare të INSTAT.

Çmimet në vendin tonë u rriten me ritme më të ulëta se mesatarja Europiane. Të dhënat tregojnë se në muajin shtator çmimet në Europë pësuan rritje mesatare prej 3,6 për qind, ku nivelet më të larta u vunë re ne Estoni dhe Lituani me nga 6.5 % secila teksa ritmet më të ulta ishin në Maltë dhe Zvicër ku çmimet u rriten më pak se 1%.

Sipas rezultateve të IHCK-së rritja më e madhe e çmimeve prej 4,7 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 2,9 %, “Transporti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,4 % secili, “Argëtim dhe kulturë” me 1,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,2 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1 % secili, “Shëndeti” me 0,9 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,7 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,2 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,4 %.

Në muajin shtator 2021, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,5 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1 %, pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 0,8 %, “Argëtim dhe kulturë” me 0,7 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,2 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,1 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shëndeti” u ulën me 0,3 %, pasuar nga grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 %.

Para tri vitesh për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e ÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit iHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e iÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. iÇK-ja përmban 332 zëra; iHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); iHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.

Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!