Mjekët e “Koço Gliozhenit” refuzojnë patronazhimin në Burrel

schedule16:10 - 30 Dhjetor, 2018

schedule 16:10 - 30 Dhjetor, 2018

Kushtet në maternitetin e Burrelit rrezikojnë jetën e nënës dhe fëmijës. Me këtë arsye mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë kanë refuzuar sistemin e patronazhimit për të asistuar lindjet në këtë qytet dhe i kanë dërguar një peticion ministres së Shëndetësisë Ogerta  Manastirliu.

Mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë refuzojnë të ndjekin sistemin e patronazhimit, ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë me qëllim plotësimin e nevojave në spitalet rajonale dhe të asistojnë në lindje në maternitetin e Burrelit.

Arsyeja është mungesa e kushteve për të garantuar qoftë lindjet normale dhe ato me operacion.

Pas hartimit të listave nga drejtoria e maternitetit mjekët kanë firmosur një peticion për Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Aty ngrenë shqetësimin se i gjithe spitali i Burrelit mbulohet vetëm nga një mjek anestezist –reanimator, që sipas tyre bën të pamundur ndërhyrjen në kohë reale në rastet urgjente.

Shërbimi për të porsalindurit është i zbuluar si në aspektin e burimeve njerëzore, ashtu edhe në infrastrukturë në sallat e operacionit nuk ka instrumenta, ndërsa rezervat e gjakut mungojnë totalisht.

“Mund të themi se asistenca e lindjes si normale ashtu edhe me operacion në të tilla mangësi thelbësore vë në rrezik shëndetin dhe jetën e nënës dhe të të porsalindurit në raste komplikacionesh të cilat sikundër dihet gjatë lindjes ndodhin në mënyrë të shpejtë dhe të paparashikueshme. Një ndërmarrje e tillë në këto kushte na ekspozon ne si personel mjekësor ndaj rrezikut fizik dhe ligjor në rast situatash fatale”.

Mjekët i kërkojnë Ministres së Shëndetësisë të plotesojë sa më parë nevojat e maternitetit në burimet njerëzore dhe infrastrukturë, të hartojë urdhërat e shërbimit të personalizuar për çdo mjek, të shprehet për kushtet e punës dhe t’i ofrojë mbrojtje ligjore dhe fizike gjatë ushtrimit të detyrës për raste fatale.

Ndërkohë mjekët maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë thonë se në mungesë të kushteve në maternitetin e Burrelit do të mbulojnë me përgjegjësi profesionale shërbimin ambulator në Obstetrike – Gjinekologji ndonëse nuk e kanë në kontratën e punës, por nuk do të asistojnë në lindje qofshin normale apo me operacion. Rastet do t’i referojnë sipas nevojës në spitalin e Lezhës, apo të Tiranës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!