Demi: Nuk heq kollaj njeri unë nga Partizani, e kam thënë Tiranës nuk i ecën me ne

schedule10:36 - 21 Tetor, 2021

schedule 10:36 - 21 Tetor, 2021

Presidenti i Partizanit, Gaz Demi ishte i ftuar në emisionin “Skaner” që transmetohet në MCN TV”. Nga të ftuarit të parit të klubit iu drejtuan disa pyetje. Derbi me Tiranën, trajneri Ilir Daja dhe stadiumi, Demi i thotë të gjitha.

Presidenti konfirmon trajnerin Daja në stolin e Partizanit edhe nëse nuk merr rezultat pozitiv kundër rivalëve të kryeqytetit.

“Ne kemi bërë një akord me Dajën. Unë nuk jam specialist teknik. Jemi në fillimin e garës. Partizani i ka humbur pikët vetë, për shkak të gabimeve. Nuk ka asnjë problem mes presidentit dhe drejtorit. Olsi Rama merret më shumë me ekipin. Unë po punoj për dhuratën e madhe për tifozët, si kompleksi dhe akademia. Përveç meje, Daja e ka përkrahjen e drejtorit. Futbolli është si familje. Nuk ka asnjë ftohje mes Partizanit dhe Dajës si trajner. Edhe mua nuk më pëlqeu ndeshja me Kukësin, por të tjerat kanë qenë pozitive. Daja nuk ka asnjë problem. Nuk ka përçarje mes klubit dhe trajnerit, këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Nuk heq kollaj njeri unë nga Partizani”, deklaroi presidenti i “demave”.

Demi thekson se Tiranës asnjëherë nuk do i eci ndaj Partizanit derisa ai të jetë President. Gjithashtu foli edhe për stadiumin i cili sipas numrit 1 të klubit pritet të jetë gati në mes të nëntorit.

“Kam thënë njëherë se sa të jem unë, Tiranës nuk i ecën me Partizanit. E mira është që ne të fitojmë, por edhe po nuk fituam, nuk është ndonjë çudi e madhe. Presioni është pak më i madh te ne, sepse na duhen pikët. Shpresoj që në derbi të kemi edhe pak fat. Ne nuk kemi pasur fat fare deri tani. Kompleksi do të jetë gati në mes të nëntorit”, përfundoi Gaz Demi.

F.A/abcnews.al