Synimi i palës kosovare është që përmes dialogut me Serbinë të sigurohet ulësja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe perspektiva euroatlantike. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së ekipit shtetëror të Kosovës për dialogun me Serbinë. Në Beograd, ndërkaq kryetarja e parlamentit serb, Maja Gojkoviq ka thënë se parakusht për vazhdimin e dialogut serbo-kosovar është që Prishtina të heq taksat e vendosura për mallrat nga Serbia.
Prishtina zyrtare, me gjithë kundërshtitë e opozitës, duket se po e përmbyll këtë vit me një ngjeshje të radhëve për ta bërë sa më të kapshëm dialogun me Serbinë. Kreu i parlamentit, Kadri Veseli, tha pas takimit me ekipin shtetëror për dialogun me Serbinë, se për rrjedhën e punimeve të ekipit do të vihen në dijeni të enjten edhe anëtarët e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po ashtu mori pjesë në takim, u shpreh optimist për rezultatin e dialogut, tani pas letrës së presidentit amerikan, Donald Trump.
Ndërsa Kuvendi i Kosovës ka diskutuar bashkërendimin e veprimeve që lidhen me dialogun Kosovë-Serbi, kryetarja e parlamentit serb, Maja Gojkoviq, ka paralajmëruar të mërkurën se parakusht për vazhdimin e dialogut është heqja e taksave për mallrat nga Serbia.
Maja Gojkovic, kryetare e Parlamentit, Serbi: “Kërkesa jonë është që të hiqen këto masa të jashtëligjshme dhe pastaj do të mund të bisedojmë. Është punë e tyre se çfarë planesh përgatisin dhe sa larg kanë ndërmend të shkojnë me radikalizimin, pikërisht ndaj serbëve të cilët jetojnë në territorin e Kosovës e Metohisë e me këtë edhe ndaj Serbisë dhe, sikurse po shohim, edhe ndaj Bosnjë-Hercegovinës”– i ka deklaruar të mërkurën medias në Beograd kryeparlamentarja serbe, Maja Gojkoviq.
Bëhet e ditur se më tetë janar në Bruksel ekipi negociator nga Prishtina do të ketë takimin e parë me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, me ndërmjetësimin e të cilëve po zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi. /abcnews.al