Tradita kërkon që çdo Krishtlindje, presidenti i Shteteve të Bashkuara të presë thirrjet telefonike të fëmijëve amerikanë. Por këtë herë, Donald Trump ka lënë me gojë hapur një vogëlush, të cilit i ka thënë si ka mundësi që në moshën 7-vjeçare ende beson tek ekzistenca e babagjyshit.
Të gjithë besojmë se babagjyshi i Krishtlindjes ekziston, por për një arsye, presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ngriti dyshime kur foli në telefon me një fëmijë në vigjilje të festës. Gjithçka ndodhi në Dhomën e Darkave të Shtëpisë së Bardhë, ku Trump dhe bashkëshortja Melania po u përgjigjeshin telefonatave të fëmijëve amerikanë.
Të vegjlit telefonuan në numrin e presidentit me shpresën se do të mund të merrnin informacione nga Norad, agjencia qeveritare që mbikëqyr lëvizjet e babagjyshit nëpër botë e që po vepron pavarësisht bllokadës federale. Por anomalia filloi kur me një zë të fuqishëm, Trump iu përgjigj një djali të quajtur Kolman.
“Alo, flas me Kolman? Gëzuar Krishtlindjen, Kolman. Sa vjeç je, si shkon në shkollë? A beson tek babagjyshi?”, i tha Trump vogëlushit. Pamje të incidentit që qarkulluan në rrjetet sociale tregojnë presidentin Trump që më pas i thotë djaloshit: “Sepse në moshën 7-vjeçare nuk është normale, apo jo?”.
Përgjigjia e Kolman nuk është e qartë dhe po ashtu e paqartë është arsyeja përse presidenti bëri një pyetje të tillë për faktin se ekzistenca e babagjyshit tejkalon çdo lloj diskutimi. Telefonatat e tjera kaluan pa ndonjë anomali dhe me urime të ngrohta. Ndryshe nga kreu i shtetit, zonja e parë Melania u tregua më e ndjeshme.
“Uroj që ëndrrat e tua të bëhen realitet”, i tha ajo një vogëlushi që kishte telefonuar./abcnews.al