Partia Demokratike ka denoncuar dy projektligjet e qeverisë lidhur me ndryshimin e kompetencave të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, me qëllim regjistrimin e portaleve online dhe kontrollin e përmbajtjes së tyre, si abusive dhe që kërcënon lirinë e medias në vend.
Dy propozimet e qeverisë për ndryshimin e legjislacionit të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare sollën reagimin e selisë blu, nga e cila kryetarja e komisionit për median dhe edukimin publik Albana Vokshi, tentativën e sheh në kufizim të lirisë së medias.
“Me ndryshimet e propozuara, arkitekti i shpifjes dhe i mashtrimit, Edi Rama, ka urdhëruar ndërhyrjen në Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe në Ligjin për Median Audiovizive në mënyrë që të kontrollojë, gjobisë apo të mbyllë portalet kritike, ato që i zbulojnë aferat korruptive dhe lidhjet me bandat kriminale. Sipas gjuhës që Edi Rama përdor në projektligj “këto portale lajmesh nxisin vepra penale apo nuk janë në perputhje me moralin pubik”. Për këtë arsye duhen gjobitur deri në 10 milionë lekë ose duhen mbyllur përkohësisht apo përgjithmonë”.
Bëhet fjalë për nenin 7 të propozimit të të Ligjit për AMA-n duke parashikuar se portalet duhet të sigurojnë që publikimit shfaqen në mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive, mos cënojnë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut, duke përcaktuar edhe një Këshill Ankesash ku personat mund të referojnë kundërshtitë ndaj lajmeve të publikuara në portal, e është pikërisht ky Këshill ai i cili më pas vendos nëse rasti është për t’u gjobitur si dhe vlerën e kësaj gjobe që sipas porpozimit mund të kapë vlera nga 100 000 deri në 800 000 lekë.
“Ndryshimet e propozuara, detyrojnë të gjitha portalet e informimin të regjistrohen pranë AKEP-it, një agjensi e kontrolluar nga qeveria, pavarësisht se mund të jenë të rregjistruar në bazë të legjislacionit në fuqi, diku tjetër brenda apo jashtë Shqiperisë. Nëpërmjet shtimit të funksioneve të AMA dhe AKEP, Rama po kërkon që, ato të shndërrohen në institucionet që përgjojnë, gjobitin gazetarët dhe mbyllin mediat kritike online.
Asnjë nga këto parashikime antidemokratike nuk është model i ndonjë vendi të Bashkimit Europian. Kjo nuk është nje paketë antishpifje. Kjo është paketa e censurës së plotë së medias”.
Për Partinë Demokratike kto dy projektligje, antikushtetuese sipas saj, janë të rrezikshme ndaj selia blu do të bëj gjithëka për ta ndaluar rënien e nëj tjetër muri mbrojtës të demokracisë, deklaron Vokshi. /abcnews.al