Osmani: Serbia vazhdon përpjekjet ta minojë shtetin e Kosovës me argumente të falsifikuara

schedule21:27 - 11 Tetor, 2021

schedule 21:27 - 11 Tetor, 2021

Presidentja Vjosa Osmani në një reagim të bërë këtë të hënë ka akuzuar Beogradin zyrtar se po vazhdon me përpjekjet për ta minuar shtetin e Kosovës me narrativë e argumente të falsifikuara.

Osmani përmes një postimi në Facebook ka shkruar për konferencën e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara (NAM), që po mbahet në Beograd, ku thekson se Serbia sërish po e keqpërdor statusin e vendit vëzhgues me synim për ta shtrembëruar të vërtetën për shtetin e Kosovës.

“Nën udhëheqjen e kasapit Sllobodan Millosheviç, Serbia ka shkaktuar shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë, duke shkaktuar gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, si dhe duke shkelur në mënyrë flagrante parimet themelore të NAM-it. Si vend kolonizues, me politika destabilizuese, me mohim te gjenocidit të kryer ndaj civilëve të pafajshëm e me veprime që çdo ditë bien ndesh me përpjekjet për paqe e stabilitet në rajonin tonë, Serbia dëshmon se është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar NAM”, ka thënë Osmani.

Ndër të tjera presidentja e Kosovës kujton se pavarësia e Kosovës është njohur nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të NAM-it.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. Prandaj ftoj të gjitha shtetet e NAM që nuk kanë njohur Kosovën që të udhëhiqen nga ky interpretim i GJND-së dhe jo nga propaganda e Serbisë e cila rrënjët i ka te mendësia Millosheviqiane.

Republika e Kosovës e vlerëson mbështetjen, të cilën ia kanë dhënë disa vende të NAM-it, në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Në këtë kontekst, shpresoj që vendet pjesëmarrëse në konferencën e NAM-it, në Beograd do t`i refuzojnë qartë përpjekjet e Serbisë për të keqpërdorur konferencën për ndjekjen e agjendave të saj destabilizuese politike kundër Republikës së Kosovës dhe kundër shteteve të tjera në rajonin tonë”, shkruan ndër të tjera Osmani./abcnews.al