Më shumë se 1700 gazetarë u ulën përballë presidentit rus Vladimri Putin në konferencën tradicionale të fundvitit. Ndër të tjera, lideri i Kremlinit u shpreh se nëse raketat do të mbërrijnë deri në Europë, atëherë Perëndimi nuk duhet të habitet nëse Rusia do të reagojë. Putin tha se vendi i tij ndërkohë ka prodhuar armë të reja.
“Bota po nënvlerëson rerzikun e një lufte bërthamore”, është kjo deklarata e presidentit rus Vladimir Putin. Sipas tij fokusimi i ndërkombëtarëve në garën globale për armatim, shton pasigurinë dhe është e vështirë të imagjinohet se si do të zhvillohet situata.
“Kemi zhvilluar armë të reja, por superioriteti rus në mbrojtjen raketore shërben vetëm për të ruajtur barazinë strategjike. Nëse do të mbërrijnë raketa në Europë, atëherë Perëndimi nuk duhet të habitet nëse reagojmë. Duhet të garantojmë sigurinë tonë, por kam besim se njerëzimi do të ketë logjikë të mjaftueshmë për të shmangur më të keqen.”
Më tej Putin shtoi se ideja e përdorimit të armëve bërthamore jo shumë të fuqishme për arsye taktike, tregon uljen e kujdesit ndaj rrezikut të një katastrofe bërthamore. Që do të nënkuptonte vdekjen e njerëzimit dhe ndoshta fundin e planetit. Por nga ana tjetër kreu i Kremlinit mirëpriti tërheqjen e ushtrisë amerikan nga Siria.
“Për sa i përket fitores ndaj shtetit islamik jam totalisht dakord me Tramp. U kemi hskaktuar humbje të mëdha ISIS”.
Putin në mandatin e tij të katërt si president i vendit synon të bëjë Rusinë fuqinë e pestë ekonomike në botë, e cila aktualisht është në vendin e 12 sipas Bankës Botërore. Pjesa më e madhe e konferencës së fundvitit në fakt iu dedikua ekonomisë. Por kjo konferencë shënoi një rekord ende pa nisur, gazetarët e akredituar ishin 1.702, rusë dhe të huaj, më tepër se tre herë më shumë nga 500 gazetarë që merrnin pjesë në konferencën e parë të këtij lloji në vitin 2001. Një takim që u transmetua në mënyrë të drejtpërdrejtë në television, radio dhe mediat sociale; si dhe përkthyer në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht në kohë reale./abcnews.al

