Ekzekutimi i dyfishtë në Elbasan, zbulohet objektivi i autorëve, çfarë kapën kamerat e sigurisë

schedule11:26 - 5 Tetor, 2021

schedule 11:26 - 5 Tetor, 2021

Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi i dyfishtë, i ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit. Gazetari i ABC, Aldo Kozarja raporton nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit se objektiv i kësaj vrasje, ka qenë Lulzim Bitri i cili mbeti i vdekur si pasojë e plumbave së bashku me Ardian Çollakun.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 në një lokal, pranë një pike karburanti. Autorët që dyshohet se ishin dy, të maskuar dhe armatosur e kanë pritur shënjestrën Lulzim Bitrti, të fshehur në makinë tip “Volvo” disa metra larg karburantit, por me fushëpamje të qartë, pasi si duket kishin informacion mbi lëvizjet.

Në momentin që 50-vjeçari Çollaku  së bashku me Bitrin, ka ardhur pranë karburantit ka parkuar makinën dhe sapo doli për të hyrë në ambientet e lokalit u qëlluan me “Scorpions” e Kallashnikov duke i lënë të vdekur të dy. Në vendin e ngjarjes u gjendën 23 gëzhoja. Atentatorët janë larguar në drejtim të fshatit Balldre duke djegur makinën për të humbur gjurmët.

Ndërkohë gazetari Aldo Kozarja raporton mes të tjerash se në makinën e djegur janë gjetur edhe dy armët e krimit. Nga të dhënat rezulton se të dy armët kallashnikov dhe Scorpions janë përdorur për të qëlluar me breshëri ndaj dy viktimave. Si pasojë e flakëve këto armë janë shkrumbuar dhe shpresat për të gjetur gjurmë të autorëve janë të pakta.

Nga kamerat e sigurisë sipas të dhënave është arritur të krijohet një identikit i autorëve. Raportohet se zona ku ka ndodhur ngjarja është e mbushur me kamera dhe policia i ka sekuestruar dhe po heton të gjitha lëvizjet që kanë bërë autorët. /abcnews.al/