Që prej janarit të vitit të ardhshëm qeveria do të paguajë 50% të tarifës së studimit për studentët e bachelorit. Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi që ka zgjatur rreth 3 orë me studentë dhe pedagogë të universitetit bujqësor të Tiranës. Në këtë takim nuk munguan as debatet.
Takimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës me studentë dhe pedagogë nuk nisi ashtu si e kishte parashikuar kreu i qeverisë, por ilustroi atë që vetë Rama deklaron: “gratë janë më të forta se ne”.
Studentja: Rektori na njoftoi ne që do ketë mbledhje me studentët dhe nuk na tha që ju do vinit në mbledhje zoti kryeministër. Ndaj unë po largohem.
Shpejtë rektori Bahri Musabelliu mori fjalën të nënvizonte se ftesa ishte e tij.
Rektori: Nuk është në këllqet e mia që të mund t’ju jap përgjigje për të gjitha pyetjet se disa prej tyre dalin jashtë juridiksionit që ka univeristeti. Ju thashë që do takohemi sot, por meqë Kryeministri shfaqi dëshirën të vinte me ftesën time.
Në takimin, transmetimi i të cilit ishte monopol i kanalit të tij personal ERTV, Kryeministri fillimisht u mundua të bënte dallimin mes atyre në sallë, me ata në rrugë.
“Sepse keni 14 ditë që bërtisni, por nuk flisni, tani flisni po ju dëgjoj”.
Pastaj u mundua t’i bindë të pranishmit se pranimi në parim i kërkesave nga qeveria është gjysma e mirë e punës së nisur.
“Mund edhe të thoshte që qeveria mos t’i pranonte. Ka qeveri që thonë”.
Dhe në fund, një konsideratë për kërkesat në vetëvete.
“Për mua ato 8 pika janë të rëndësishme vetëm që na sollën këtu, angazhimi i qeverisë është që do plotësohen ato, do adresohen më saktë”.
Ofertën e tij jua përsëriti studentëve, duke nënkuptuar se puna ka nisur.
“Po përgatisim vende pune në administratë për më të mirët. Bordi i administrimit me një student të vendosur nga qeveria. Përqindja e tarifave sipas notave, ekselentët (9-10) bursa; Karta e studentit të jetë e markuar si EU card.Brenda janarit besoj ju do keni bibliotekë online”.
Të gjitha këto kreu i qeverisë kërkon t’i hedhë e zeza mbi të bardhë mbi një copë letër, që kërkon ta quajë “pakti për Universitetin”.
“Ne duhet të dalim dhe do dalim me një dokument që do jetë një pakt për universitetin”.
Por kujt llogarinë ja kërkoi aty për aty, me një fije autoritet.
Erjon Murati: E para që doja të thoja nuk më pëlqeu mënyra si ju adresove vajzës dhe djalit se ne të kemi zgjedhur. Nga këto 5 minuta pyetje dhe 40 e kusur minuta përgjigje ju shkarkuat përgjegjësinë nga institucioni që ju drejtoni drejt univeristetit.
Kryeministri iu kthye me tone më të ashpra.
Rama: E para, eprori nuk je as ti as ajo vajza. Unë kam ardh të flas për përgjegjësi, jo për faje. Nuk e di ku e dëgjove e ke përgatitur fjalimin më parë dhe nuk ke dëgjuar fare, ke prit radhën ta thuash”.
Një premtim, afati i skandencës së të cilit dihet, kryeministri ja dha studentëve.
“Në janar ju do të paguani 50% më pak të tarifës. Kaq di tju them”.
Si garanci, sallës që ia përsëriti mungesën e besimit, i dha vetëm fjalën e tij.
“Deklaratë zyrtare nuk të bëj as ty, as askujt se ne jemi këtu partnerë. Nëse u thotë universiteti nuk e ka bërë qeveria këtë ju do paguani tarifat atëherë bujrum atje”.
Ky u duk si i vetmi rezultat konkret i takimit 3 orë e gjysmë mes kreut të qeverisë dhe studentëve të universitetit të bujqësorit. Në fund kryeministri i referoi studentëve portalin shqipëriaqëduam ku deklaroi se do të hapë një faqe dedikuar dialogut për Universitetin. /abcnews.al