I depolitizuar dhe strikt ndaj bindjeve të tij në sektorin ekonomik do të jetë ish ministri demokrat i financave Ridvan Bode në detyrën e anëtarit të këshillit mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë. I propozuar nga kabineti qeveritar ish-ministri Bode ka raportuar përpara Komsionit të ekonomisë.
Nuk ka vendimmarrje në Bankën e Shqipërisë prej 3 Nëntorit të këtij viti. Arsyeja? Gjashtë prej nëntë anëtarëve iu ka mbaruar mandati. Që një prej instutucioneve më të rëndësishme të vendit të funksionojë, procedura e kuvendit parashikon edhe këtë seancë dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë. Ridvan Bode, Suela Popa dhe Edlira Luçi janë emërat e propozuar nga Këshilli i Ministrave për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Artan Hoxha, Arben Malaj dhe Luljeta Minxhozi janë kandidatët e propozuar nga 28 deputetë të Kuvendit. Kandidatura më e përfolur është ajo e ish ministrit demokrat të financave Ridvan Bode. Ai premton se do të jetë i zhveshur nga çdo ngjyrim politik.
Ridvan Bode, ish-ministër i Financave: “Sigurisht e kam marrë ftesën për të qenë pjesë e këtij instuticioni i zhveshur nga të gjithë ngarkesat politike, pasi është një instuticion tërësisht i politizuar dhe do të kontribuoj që ajo politikë që do të jetë në funksion të politikës monetare do të jetë me e mira dhe më e drejta për rrethanat e vendit.”
Në heshtje e përcollën kandidaturën e ministrit të qeverisë Berisha për t’ja lënë në fund parlamentit të vendosë në seancën plenare të kësaj jave./abcnews.al