Luhatjet e temperaturave, mjekët: Më të riskuar bebet dhe fëmijët

schedule15:29 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 15:29 - 18 Dhjetor, 2018

Luhatjet e temperaturave gjatë 24 orëshit sjellin edhe komplikacione shëndetësore nga më të ndryshmet kryesisht tek grupmoshat e te vegjëlve. Mjekët pediatër bëjnë apel që prindërit të bëjnë kujdes me veshjet e fëmijëve, si dhe me përdorimin e antibiotikëve pa konsultë me specialistët.

Me ndryshimin e shpeshtë të temperaturave jemi të gjithë të riskuar të prekemi nga virozat, duke qenë se luhatjet e temperaturave nga mëngjesi deri në mbrëmje pësojnë luhatje të konsiderueshme. Sipas mjekëve grupmosha e bebeve 0-12 muajsh janë ata që kërkojnë kujdes më të veçantë.

Makbule Naipi, mjeke pediatre: “Temperaturat kanë luhatje me goxha gradë që pasohet me ndryshime në shumë fusha të shëndetit. Grupmosha më e prekur janë bebet mosha 0-12 muajsh. Imuniteti i tyre është ende i paformuar. Kanë problematikat e tyre që pasqyrohen me probleme në shëndet.”

Mjekja pediatre tregon edhe disa nga komplikacionet që ndodhin gjatë kësaj periudhe tek fëmijët.

“Problemet kryesore janë: infeksionet e rrugëve të sipërme respiratoreqë përfshijnë rrufën, një kollë të lehtë dhe më tëpër mbizotërojnë bronkiolitet. Ka dhe probleme në grupmosha të tjera që mund të lidhë edhe me ndryshimin e klimës por edhe me konsumimin e ushqimeve jo fort të përshtatshme.”

Me rëndësi për një shëndet të mire të fëmijëve sipas mjekes ka edhe temperatura e ambientit, veshja si dhe disa faktorë të tjerë.

“Këshilla ime e parë që unë insistoj fort është ambiente sa më të ajrosura jo të mbingohura dhe jo të mbyllura. Një veshje sa më komode, të mbizotërojë pambuku. Një kontakt i pandërprerë me mjekun e tyre të familjes për të marrë këshillat e duhura për mënyrën e ushqyerjes. Evitimi i ambienteve të mbyllura, lokaleve që frekuentohen sot. Nuk ua këshilloj këtë, pasi nuk është e shëndetshme për fëmijët.”

Mjekët i bëjnë apel prindërve që mos të marrin antibiotikë të ndryshëm pa konsultën e specialistëve, pasi kjo nuk ndihmon por e përkeqëson dhe më tej shëndetin e fëmijëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!