Alban Bushi ka dalë para mediave për të folur për ndeshjet e kuqezinjve të vegjël kundër Andorrës dhe Sllovenisë, më 7 dhe 11 tetor. Si fillim është publikuar lista, që tekniku e ka komentuar, ndërkohë që u fol edhe për rezultatet, objektivat si dhe për mungesën e portierit Marco Alia që gaboi me Çekinë.
LISTA – Unë gjithmonë do të marr ata lojtarë që janë më në formë. Nuk mund të marrim një lojtar që mund të luajë në kampionatin shqiptar që është i dobët. Por gjithsesi, kampionati shqiptar, ngaqë jemi më afër dhe e shohim pothuajse çdo javë, jemi më të fokusuar këtu. Por gjithsesi, fokusi ynë me skautët tanë është edhe jashtë, kështu që kemi menduar të bëjmë një miks, siç kemi bërë gjithmonë.
OBJEKTIVI – “Ne duam të marrim 3 pikë në ndeshjen me Andorrën, që është shumë e rëndësishme për ne. vijmë nga një humbje jo e mirë dhe në përgjithësi gjithmonë humbjet janë të hidhura, siç ishte ajo me Çekinë. Nga kjo humbje kemi nxjerrë shumë mësime. Humbjet nga një anë kanë edhe gjëra pozitive, ti mëson se ku ke gabuar për t’u përmirësuar për të ardhmen.
Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne, sidomos ndeshja ndaj Andorrës. Grupin nuk e kemi të plotë. Nga fillimi i eliminatoreve e deri tani grupi ka qenë me shumë mungesa dhe me shumë vajtje në ekipin e parë. Gjithsesi jemi munduar që edhe me ato moshat e vogla që kemi marrë të bëjmë më të mirën”.
MARCO ALIA – “Ne gabuam të gjithë, nuk gaboi vetëm Marco Alia. Gabimet janë pjesë e lojës, po nuk gabove i bie që mos të fitojë asnjëri. Alia ka pasur arsye personale, më ka telefonuar dhe nuk ndihet mirë për momentin. Do të fokusohet tek ekipi i tij dhe për këtë arsye nuk është pjesë e ekipit këtë radhë.
Nuk mendoj asnjëherë që një lojtar që gabon, të mos jetë pjesë e ekipit. E kam thënë gjithmonë që, gabimet janë shumë të këqija kur janë gabime në mendim dhe jo kur janë gabime teknike. Ai ishte një gabim teknik dhe nuk quhet. Ata janë të rinj, janë të vegjël, po nuk gabuan nuk do të mësojnë. E rëndësishme është të mos gabojnë në mendim”.
HUMBJA NDAJ ÇEKISË – Unë mendoj se ne duhet t’i harrojmë gjithmonë humbjet, por edhe fitoret pas ndeshjes. Dhe i kemi harruar, si humbjet ashtu edhe fitoret, që duhet thënë se kanë qenë shumë. Jemi ekipi i vetëm Shpresa në historinë e futbollit shqiptar që kemi zënë vend të tretë dhe kemi marrë 14 pikë. Do të tentojmë ta bëjmë përsëri, por akoma edhe më mirë këtë edicion. Kanë kaluar vetëm dy ndeshje, i kemi luajtur të dyja jashtë, kemi fituar në Andorra, kemi humbur në Çeki dhe jemi akoma brenda objektivave”.
ANGLIA – “Edhe Anglia është dhe nuk është e fortë. Futbolli luhet 11 me 11. U bëra disa vite trajner i Shpresave dhe i kam parë pothuajse të gjithë ekipet, nga Italia dhe Spanja. Thjesht duhet përqëndrim i madh dhe sakrificë, për të përballuar kundërshtarët e nivelit të mirë dhe nivelit të dobët. Kemi ekipin e Andorrës që mund të vijë këtu dhe të na shënojë 5 gola, nëse nuk ka përqëndrim dhe nuk jepet maksimumi.
Ne si ballkanas i nënvlerësojmë pak ekipet e dobëta, por nuk duhet. Jam munduar të kërkoj gjithmonë maksimumin dhe kam thënë që unë në minutën e 5-të unë mund të bëj edhe një ndërrim, nëse shoh që dikush nuk vrapon apo nuk lufton, apo që nuk sakrifikon për shokun e Shqipërinë”, tha mes të tjerash Bushi në konferencën e sotme për shtypin. / abcnews.al