NATO, SHBA mbështesin anëtarësimin e Bosnjës

schedule23:21 - 17 Dhjetor, 2018

schedule 23:21 - 17 Dhjetor, 2018

Gjatë një vizite në Sarajevë, nënsekretari amerikan i Shtetit ka shprehur mbështetjen për anëtarësimin e Bosnje e Hercegovinës në NATO dhe ka paralajmëruar liderin serb të vendit me pasoja të rënda nëse bëhet pengesë në këtë proces.

Shtetet e Bashkuara mbështesin ambicjen e Bosnjes për t’u anëtarësuar në NATO dhe do të reagojnë ashpër ndaj çdo kërcënimi për stabilitetin e vendit. Deklarata është bërë nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Sallivan, pas një takimi me presidencën trepalëshe të Bosnjes. “Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura si kurrë më parë ndaj vendimit të kësaj qeverie për t’iu bashkuar NATO-s”, ka deklaruar Sallvian. Zyrtari i lartë amerikan ka shpërfillur tërësisht protestat e liderit serb të Bosnjes, Milorad Dodik, që ka bërë thirrje që vendi të mbetet neutral dhe të qëndrojë larg aleancës ushtarake të udhëhequr nga Amerika. Aleanca e Atlantikut të Veriut bombardoi pjesën serbe të Bosnjes në vitin 1995 për t’i dhënë fund spastrimit etnik dhe më pas Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan marrëveshjen e paqes së Dejtonit që erdhi më pas.

Këtë muaj, NATO ftoi Bosnjen që të nisë përgatitjet për Planin e Anëtarësimit, që është mbajtur i bllokuar nga serbët. Nga ana e tij, Dodik ka deklaruar se i ka bërë të qartë nënsekretarit Sallivan se presidenca trepalëshe nuk ka konsensus sa i takon anëtarësimit, që mbështetet nga myslimano-boshnjakët dhe kroatët. Por Uashingtoni nuk ka ndërmend të tërhiqet. “Ne në Uashington e marrim shumë seriozisht vendimin e qeverisë boshnjake për t’iu bashkuar NATO-s dhe nuk do të lejojmë askënd të ndërhyjë në punët e brendshme të këtij vendi sovran”, ka thënë Sallivan. Shtetet e Bashkuara e sanksionuan presidentin Dodik në vitin 2017 për shkak të thirrjeve të tij për ndarjen e Bosnjes. Uashingtoni ka paralajmëruar edhe Rusinë, që e kundërshton hyrjen e vendit ballkanas në Aleancën ushtarake. “Amerika do të reagojë fuqishëm ndaj çdo kërcënimi që i kanoset stabilitetit të Bosnje e Hercegovinës”, ka shtuar Sallivan. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!